Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 28:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Mjerë kurorës së kryelartësisë të të dehurve, të Efraimit dhe lules së fishkur të bukurisë së tij të lavdishme që ri mbi krye të luginës pjellore të atyre që i ka mposhtur vera!

2. Ja, Zoti ka një njeri të fortë dhe të fuqishëm, si një stuhi breshëri, si një tufan shkatërrues; si një vërshim ujërash të fuqishme përmbytëse; ai do t'i hedhë për tokë me dorën e tij.

3. Kurora e kryelartësisë të të dehurve të Efraimit do të shkelet;

4. dhe lulja e fishkur e bukurisë së tij të lavdishme që rri mbi krye të luginës pjellore do të jetë si një fik i hershëm para verës që dikush e shikon; ai e gëlltit sapo e ka në dorë.

5. Atë ditë Zoti i ushtrive do të jetë një kurorë lavdie, një diademë e shkëlqyer për pjesën tjetër të popullit të tij,

6. një frymë drejtësie për atë që ulet për të gjykuar dhe forca e atyre që në betejë e sprapsin armikun deri te portat e tij.

7. Por edhe këta shkojnë sa djathtas aq edhe majtas për shkak të verës dhe u merren këmbët nga pijet dehëse; prifti dhe profeti lëkunden për shkak të pijeve dehëse, lëkunden sikur të kishin vegime, ngurrojnë në dhënien e vendimeve.

8. Tërë tryezat janë plot me të vjella dhe me ndyrësi, nuk ka më një vend të pastër.

9. "Kujt dëshiron t'i mësojë diturinë? Kujt dëshiron t'ia bëjë të kuptueshëm mesazhin? Atyre që sapo janë zvjerdhur, atyre që sapo janë shkëputur nga sisa?

10. Sepse ka një urdhër mbi urdhër, urdhër mbi urdhër, rregull mbi rregull, rregull mbi rregull, pak këtu dhe pak atje".

11. Në fakt do të ndodhë që me buzë që belbëzojnë dhe me një gjuhë tjetër Zoti do t'i flasë këtij populli.

12. Ai u kishte thënë: "Ja pushimi: vëreni të lodhurin të pushojë; këtu është fresk!". Por ata nuk deshën ta dëgjojnë.

13. Kështu fjala e Zotit u bë për ta urdhër mbi urdhër, urdhër mbi urdhër, rregull mbi rregull, rregull mbi rregull, pak këtu, pak atje, me qëllim që ata të binin mbrapsht, të bëheshin copë-copë, t'i zinte laku dhe të kapeshin.

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 28