2. Mos hapni gojën, o banorë të bregut të detit, o tregtarë të Sidonit; ata që çajnë detet ju kanë mbushur me pasuri.
3. Nëpërmjet ujërave të mëdha gruri i Shihorit, prodhimi i lumit, ishte e ardhura e tij; dhe ai ishte tregu i kombeve.
4. Ki turp, o Sidon, sepse ka folur deti, kalaja e detit, duke thënë: "Unë nuk kam pasur dhembje, as kam lindur fëmijë; nuk kam ushqyer të rinj as kam rritur virgjëresha".
5. Kur lajmi do të arrijë në Egjipt, do të hidhërohen për lajmin e Tiros.
6. Kaloni në Tarshish, vajtoni o banorë të bregut të detit!
7. Ky qenka qyteti juaj i qejfeve, prejardhja e të cilit është e lashtë? Këmbët e tij e çonin të banonte në toka të largëta.
8. Kush, pra, e ka vendosur këtë kundër Tiros, dhurues kurorash, tregtarët e të cilit ishin princa dhe dyqanxhinjtë e të cilit ishin njerëzit e nderuar të dheut?
9. E ka vendosur Zoti i ushtrive, për të errur krenarinë nga çfarëdo shkëlqimi, për të ulur gjithë njerëzit e nderuar të dheut.
10. Kalo nëpër vendin tënd si Nili, o bijë e Tarshishit, nuk ka më forcë.
11. Zoti ka shtrirë dorën e tij mbi detin, i ka bërë mbretëritë të dridhen, për Kanaanin ka urdhëruar t'i shkatërrohen kalatë e tij.
12. Ai ka thënë: "Ti nuk do të vazhdosh të gëzohesh, o bijë e Sidonit, virgjëreshë që ke humbur nderin". Çohu, kalo në vendin e Kitimit; as aty nuk do të gjesh prehje.
13. Ja vendi i kaldeasve: ky popull nuk ekzistonte fare; Asiri e themeloi për kafshët e shkretëtirës. Ata kanë ngritur kalatë e tyre, kanë rrënuar pallatet e Tiros dhe e kanë katandisur në një grumbull gërmadhash.
14. Rënkoni, o anije të Tarshishit, sepse kalaja juaj është shkatërruar.