Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 21:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Profecia kundër shkretëtirës së detit. Ashtu si shakullinat kalojnë me të shpejtë nëpër Negev, kështu një pushtues vjen nga shkretëtira, nga një vend i tmerrshëm.

2. Një vegim i tmerrshëm m'u shfaq: i pabesi vepron me pabesi dhe shkatërruesi shkatërron. Dil, o Elam. Rrethoje, o Medi! Bëra që të pushojë çdo rënkim të tij.

3. Për këtë arsye ijët e mia më dhëmbin shumë, më zunë dhembjet si të prerat e një gruaje që lind; jam i tronditur nga sa dëgjova, jam i tmerruar nga sa pashë.

4. Zemra ime e ka humbur, tmerri më ka zënë; nata që aq shumë e dëshiroja është bërë llahtarë për mua.

5. Ndërsa po shtrohet tryeza, bëhet rojë mbi kullën vëzhgimit hahet dhe pihet. "Çohuni, o krerë, dhe vajosni mburojat".

6. Sepse kështu më ka thënë Zoti: "Shko, vër një roje që të njoftojë atë që shikon".

7. Ajo pa qerre dhe çifte kalorësish, disa prej të cilëve kishin hipur mbi gomarë dhe të tjerë mbi deve, dhe i vëzhgoi me kujdes, me shumë kujdes.

8. Pastaj bërtiti si një luan: "O Zot, ditën unë rri gjithnjë mbi kullën e vëzhgimit, dhe çdo natë rri më këmbë te vendroja ime.

9. Dhe ja po vijnë disa qerre dhe çifte kalorësish". Atëherë ajo nisi të flasë përsëri: "Ra, ra Babilonia"! Të gjitha shëmbëlltyrat e gdhendura të perëndive të saj janë për tokë të copëtuara.

10. O populli im, atë që kam shirë dhe shkelur në lëmin tim, atë që kam dëgjuar nga Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, unë ta kam njoftuar!".

11. Profecia kundër Dumahut. Më bërtasin nga Seiri: "Roje, në ç'pikë ka arritur nata? Roje, në ç'pikë ka arritur nata?".

12. Roja përgjigjet: "Vjen mëngjesi, pastaj edhe nata. Në rast se doni të pyesni, pyesni, pra; kthehuni, ejani".

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 21