Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 2:2-10 Bibla Shqip (ALBB)

2. Në ditët e fundit do të vij që mali ku ndodhet shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do të ngrihet mbi disa kodra, dhe këtu do të vërshojnë tërë kombet.

3. Shumë popuj do të vijnë duke thënë: "Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij". Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jeruzalemi fjala e Zotit.

4. Ai do të sigurojë drejtësi midis kombeve dhe do të qortojë shumë popuj. Do t'i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.

5. O shtëpi e Jakobit, ejani dhe të ecim në dritën e Zotit!

6. Sepse ti, o Zot, ke braktisur popullin tënd, shtëpinë e Jakobit, sepse janë plot me praktika lindore, ushtrojnë magjinë si filistenjtë, lidhin aleanca me bijtë e të huajve.

7. Vendi i tyre është plot me argjend dhe me ar dhe thesaret e tyre nuk kanë fund; vendi i tyre është plot me kuaj dhe qerret e tyre s'kanë të sosur.

8. Vendi i tyre është plot me idhuj; bien përmbys përpara veprës së vetë duarve të tyre, përpara atyre gjërave që kanë bërë gishtat e tyre.

9. Prandaj njeriu i zakonshëm përulet dhe njeriu i shquar ulet, por ti nuk i fal.

10. Hyr në shkëmb dhe fshihu në pluhurin përpara tmerrit të Zotit dhe përpara shkëlqimit të madhërisë së tij.

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 2