Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 14:8-23 Bibla Shqip (ALBB)

8. Madje edhe selvitë e cedrat e Libanit gëzohen për ty dhe thonë: "Që kur ke rënë, asnjë druvar s'ka dalë kundër nesh".

9. Sheoli poshtë është në lëvizje për ty, me qëllim që të të dalë përpara kur të vish; ai zgjon frymët e të vdekurve, tërë princat e dheut; ka ngritur nga fronet e tyre gjithë mbretërit e kombeve.

10. Të gjithë e marrin fjalën për të të thënë: "Edhe ti je bërë i dobët si ne dhe je bërë i ngjashëm me ne.

11. Salltaneti yt ka rënë në Sheol tok me tingujt e harpave të tua; poshtë teje shtrihet një shtrat me krimba dhe krimbat janë mbulesa jote".

12. Vallë, si ke rënë nga qielli, o Lucifer, bir i agimit? Vallë si të hodhën për tokë ty që i hidhje poshtë kombet?

13. Ti thoshe në zemrën tënde: "Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut;

14. do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin".

15. Po përkundrazi do të hidhesh në Sheol, në thellësitë e gropës.

16. Ata që të shikojnë të ngulin sytë, të vërejnë me kujdes dhe thonë: "Ky është njeriu që e bënte tokën të dridhej, që i trondiste mbretëritë,

17. që e katandisi botën në shkretëtirë, që shkatërron qytetet e saj dhe nuk i la kurrë të shkojnë të lirë robërit e tij?".

18. Të gjithë mbretërit e kombeve, tërë ata prehen në lavdi, secili në varrin e tij;

19. ty përkundrazi të hodhën larg varrit tënd si një farë e neveritshme, si një rrobë e të vrarëve nga shpata, që i zbresin mbi gurët e gropës, si një kufomë e shkelur.

20. Ti nuk do të bashkohesh me ta në varr, sepse ke shkatërruar vendin tënd dhe ke vrarë popullin tënd; pasardhësit e keqbërësve nuk do të përmenden më.

21. Përgatitni masakrën e bijve të tij për shkak të paudhësisë së etërve të tyre, që të mos ngrihen më për të zotëruar tokën dhe për të mbushur faqen e dheut me qytete.

22. "Unë do të ngrihem kundër tyre", thotë Zoti i ushtrive, "dhe do të shfaros nga Babilonia emrin dhe ata që kishin shpëtuar, fëmijët dhe pasardhësit", thotë Zoti.

23. "Do të bëj që atje të sundojë iriqi dhe moçali; do ta fshij me fshesën e shkatërrimit", thotë Zoti i ushtrive".

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 14