Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 14:21-32 Bibla Shqip (ALBB)

21. Përgatitni masakrën e bijve të tij për shkak të paudhësisë së etërve të tyre, që të mos ngrihen më për të zotëruar tokën dhe për të mbushur faqen e dheut me qytete.

22. "Unë do të ngrihem kundër tyre", thotë Zoti i ushtrive, "dhe do të shfaros nga Babilonia emrin dhe ata që kishin shpëtuar, fëmijët dhe pasardhësit", thotë Zoti.

23. "Do të bëj që atje të sundojë iriqi dhe moçali; do ta fshij me fshesën e shkatërrimit", thotë Zoti i ushtrive".

24. Zoti i ushtrive është betuar duke thënë: "Në të vërtetë ashtu siç e kam menduar ashtu do të jetë, dhe ashtu si kam vendosur, kështu ka për të ndodhur.

25. Do ta dërrmoj asirin në vendin tim, do ta shkel në malet e mia; atëherë zgjedha e tij do t'u hiqet atyre dhe barra tij do të hiqet nga kurrizi i tyre.

26. Ky është plani i vendosur kundër të gjithë dheut dhe kjo është dora e shtrirë kundër të gjithë kombeve.

27. Me qenë se Zoti i ushtrive e ka vendosur këtë, kush mund t'ia anulojë? Dora e tij është shtrirë dhe kush mund ta detyrojë ta tërheqë?".

28. Në vitin e vdekjes së mbretit Ashaz u shqiptua kjo profeci:

29. "Mos u gëzo, o Filisti e tërë, sepse shufra që të godiste është thyer! Sepse nga rrënja e gjarprit ka për të dalë një nepërkë, dhe fryti i saj do të jetë një gjarpër i zjarrtë dhe fluturues.

30. Të parëlindurit e të varfërve do të kenë ç'të hanë dhe nevojtarët do të pushojnë të sigurt; por do të bëj që të vdesin urie rrënjët e tua dhe kjo do të shkatërrojë mbetjen tënde.

31. Bërtit, o portë, thirr, o qytet! Shkrihu, o Filisti e tërë, sepse nga veriu vjen një tym, dhe askush nuk lë vendin e tij në radhët e veta".

32. Çfarë përgjigje do t'u jepet lajmëtarëve të këtij kombi? "Që Zoti ka themeluar Sionin dhe që në të gjejnë strehë të mjerët e popullit të tij".

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 14