1. Me qenë se Zotit do t'i vijë keq për Jakobin, ai do të zgjedhë përsëri Izraelin dhe do t'i rivendosë në tokën e tyre; të huajt do të bashkohen me ta dhe do të lidhen me shtëpinë e Jakobit.
2. Popujt do t'i marrin dhe do t'i çojnë përsëri në vendin e tyre dhe shtëpia e Izraelit do t'i zotërojë në vendin e Zotit si robër dhe robinja; do të zënë robër ata që i kishin zënë robër dhe do të mbretërojnë mbi shtypësit e tyre.
3. Kështu që ditën në të cilën Zoti do t'i japë prehje lodhjes sate, shqetësimit tënd nga skllavëria e rëndë së cilës i ishe nënshtruar,
4. ti do të shqiptosh këtë sentencë mbi mbretin e Babilonisë dhe do të thuash: "Si mbaroi shtypësi? Tagrambledhja e arit si ka mbaruar?
5. Zoti e ka thyer shkopin e të pabesëve, skeptrin e tiranëve.
6. Ai që në tërbim e sipër godiste popujt me goditje të pandërprera, ai që sundonte me zemërim mbi kombet tani përndiqet pa mëshirë.
7. Mbarë dheu pushon i qetë, njerëzit shpërthejnë në britma gëzimi.
8. Madje edhe selvitë e cedrat e Libanit gëzohen për ty dhe thonë: "Që kur ke rënë, asnjë druvar s'ka dalë kundër nesh".
9. Sheoli poshtë është në lëvizje për ty, me qëllim që të të dalë përpara kur të vish; ai zgjon frymët e të vdekurve, tërë princat e dheut; ka ngritur nga fronet e tyre gjithë mbretërit e kombeve.