Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 14:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Me qenë se Zotit do t'i vijë keq për Jakobin, ai do të zgjedhë përsëri Izraelin dhe do t'i rivendosë në tokën e tyre; të huajt do të bashkohen me ta dhe do të lidhen me shtëpinë e Jakobit.

2. Popujt do t'i marrin dhe do t'i çojnë përsëri në vendin e tyre dhe shtëpia e Izraelit do t'i zotërojë në vendin e Zotit si robër dhe robinja; do të zënë robër ata që i kishin zënë robër dhe do të mbretërojnë mbi shtypësit e tyre.

3. Kështu që ditën në të cilën Zoti do t'i japë prehje lodhjes sate, shqetësimit tënd nga skllavëria e rëndë së cilës i ishe nënshtruar,

4. ti do të shqiptosh këtë sentencë mbi mbretin e Babilonisë dhe do të thuash: "Si mbaroi shtypësi? Tagrambledhja e arit si ka mbaruar?

5. Zoti e ka thyer shkopin e të pabesëve, skeptrin e tiranëve.

6. Ai që në tërbim e sipër godiste popujt me goditje të pandërprera, ai që sundonte me zemërim mbi kombet tani përndiqet pa mëshirë.

7. Mbarë dheu pushon i qetë, njerëzit shpërthejnë në britma gëzimi.

8. Madje edhe selvitë e cedrat e Libanit gëzohen për ty dhe thonë: "Që kur ke rënë, asnjë druvar s'ka dalë kundër nesh".

9. Sheoli poshtë është në lëvizje për ty, me qëllim që të të dalë përpara kur të vish; ai zgjon frymët e të vdekurve, tërë princat e dheut; ka ngritur nga fronet e tyre gjithë mbretërit e kombeve.

10. Të gjithë e marrin fjalën për të të thënë: "Edhe ti je bërë i dobët si ne dhe je bërë i ngjashëm me ne.

11. Salltaneti yt ka rënë në Sheol tok me tingujt e harpave të tua; poshtë teje shtrihet një shtrat me krimba dhe krimbat janë mbulesa jote".

12. Vallë, si ke rënë nga qielli, o Lucifer, bir i agimit? Vallë si të hodhën për tokë ty që i hidhje poshtë kombet?

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 14