Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Isaia 10:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Mjerë ata që nxjerrin dekrete të padrejta dhe ata që vazhdojnë të hartojnë vendime të padrejta,

2. për t'u mohuar drejtësinë të mjerëve, për t'u mohuar të drejtën të varfërve të popullit tim, dhe për t'i bërë gratë e veja pre të tyre dhe jetimët plaçkë të tyre.

3. Çfarë do të bëni ditën e ndëshkimit dhe të shkatërrimit që do të vijë nga larg? Te kush do të ikni për të kërkuar ndihmë dhe kujt do t'ia lini pasurinë tuaj?

4. Atyre nuk do t'u mbetet tjetër veç se të përkulen midis robërve ose të bien midis të vrarëve. Megjithëkëtë zemërimi i tij nuk qetësohet dhe dora e tij mbetet e shtrirë.

5. Mjerë Asiria, shufra e zemërimit tim, në duart e së cilës ndodhet shkopi i indinjatës sime!

6. Unë do ta dërgoj kundër një kombi të pabesë dhe kundër popullit të zemërimit tim. Do ta urdhëroj që ta plaçkitë, ta zhveshë dhe ta shkelë si baltën e rrugëve.

7. Por ajo mendon ndryshe dhe në zemër të vet ka plane të tjera, por dëshiron të shkatërrojë dhe të shfarosë një numër të madh kombesh.

8. Në fakt thotë: "Princat e mi nuk janë të gjithë mbretër?

9. A nuk është Kalnoja si Karkemishi? A nuk është Hamathi si Arpadi? A nuk është Samaria si Damasku?

10. Ashtu siç ka arritur dora ime mbretëritë e idhujve, shëmbëlltyrat e gdhendura të të cilëve ishin më të shumta se ato të Jeruzalemit dhe të Samarias,

11. ashtu si bëra me Samarinë dhe me idhujt e saj, a nuk do të veproj edhe në Jeruzalem dhe me idhujt e tij?".

12. Por do të ndodhë që, kur Zoti të ketë mbaruar tërë veprën e tij në malin Sion dhe në Jeruzalem, ai do të thotë: "Unë do të dënoj frytin e mendjemadhësisë së zemrës së mbretit të Asirisë dhe lavdinë e syve të tij krenarë".

Lexoni kapitullin e plotë Isaia 10