Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjyqtarët 8:22-35 Bibla Shqip (ALBB)

22. Atëherë burrat e Izraelit i thanë Gedeonit: "Mbretëro mbi ne ti, biri yt dhe i biri i birit tënd, sepse na ke çliruar nga sundimi i Midianit".

23. Por Gedeoni u përgjigj: "Unë nuk do të mbretëroj mbi ju, as edhe biri im!".

24. Pastaj Gedeoni u tha: "Por dua t'ju kërkoj diçka: secili prej jush të më japë vathët e plaçkës së tij". Ata kishin vathët prej ari sepse ishin ismaelitë.

25. Ata u përgjigjën: "Ne i japim me gjithë qejf". Kështu ata shtrinë një mantel dhe secili hodhi vathët e plaçkës së tij.

26. Pesha e vathëve prej ari që ai kishte kërkuar ishte njëmijë e shtatëqind sikla ari, përveç gjysmëhënëzave, varëseve dhe rrobave të purpurta që vishnin mbretërit e Midianit, përveç qaforeve që devetë e tyre mbanin në qafë.

27. Pastaj Gedeoni me to bëri një efod, dhe e vendosi në Ofrah, në qytetin e tij; tërë Izraeli shkoi atje dhe u kurvërua me të dhe kështu u shndërrua në një lak për Gedeonin dhe shtëpinë e tij.

28. Kështu Midiani u poshtërua përpara bijve të Izraelit dhe nuk ngriti më kokë; dhe vendi pati paqe dyzet vjet me radhë, gjatë gjithë jetës së Gedeonit.

29. Pastaj Jerubaali, bir i Joashit, u kthye të banojë në shtëpinë e tij.

30. Gedeoni pati shtatëdhjetë fëmijë që dolën nga ijët e tij, sepse pati shumë gra.

31. Por konkubina e tij që banonte në Sikem, i lindi edhe ajo një djalë, të cilit i vuri emrin Abimelek.

32. Pastaj Gedeoni, bir i Joashit, vdiq në pleqëri të mbarë dhe u varros në varrin e Joashit, të atit të tij, në Ofrah të abiezeritëve.

33. Pas vdekjes së Gedeonit, bijtë e Izraelit filluan përsëri të kurvërohen përpara Baalit dhe zgjodhën Baal-Berithin si zot të tyre.

34. Bijtë e Izraelit nuk u kujtuan fare për Zotin, Perëndinë e tyre, që i kishte çliruar nga të gjithë armiqtë që i rrethonin,

35. dhe nuk u treguan fare mirënjohës ndaj shtëpisë së Jerubaalit (domethënë të Gedeonit) për gjithë ato të mira që i kishte bërë Izraelit.

Lexoni kapitullin e plotë Gjyqtarët 8