Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjyqtarët 7:14-25 Bibla Shqip (ALBB)

14. Atëherë shoku i tij iu përgjigj dhe i tha: "Kjo nuk është tjetër veçse shpata e Gedeonit, birit të Joashit, burrë i Izraelit; në duart e tij Perëndia e ka lënë Midianin dhe tërë kampin".

15. Mbasi dëgjoi tregimin e ëndrrës dhe interpretimin e saj, Gedeoni ra përmbys në shenjë adhurimi; pastaj u kthye në kampin e Izraelit dhe tha: "Çohuni se Zoti ka dhënë në duart tuaja kampin e Midianit!".

16. Pastaj i ndau të treqind burrat në tre grupe dhe i dorëzoi secilit prej tyre bori dhe enë boshe me nga një pishtar brenda;

17. dhe u tha: "Shikomëni mua dhe veproni ashtu si do të veproj unë; kur të kem arritur në kufijtë e kampit, ju do të veproni pikërisht si unë.

18. Kur do t'i bie borisë, unë dhe të gjithë ata që janë me mua, edhe ju do t'i bini borive rreth e qark gjithë kampit dhe do të bërtisni: "Për Zotin dhe për Gedeonin"".

19. Gedeoni dhe njëqind burrat që ishin me të arritën në buzë të kampit në prag të mesnatës, fill pas ndërrimit të rojeve. Ata u ranë borive dhe thyen enët që mbanin në dorë.

20. Atëherë të tre grupimet u ranë borive dhe thyen enët duke mbajtur me dorën e majtë pishtarët dhe me atë të djathtë boritë, dhe filluan të bërtisnin: "Shpata e Zotit dhe e Gedeonit!".

21. Secili prej tyre qëndroi në vendin e tij rreth kampit; e tërë ushtria armike përkundrazi filloi të rendë, të bërtasë dhe të ikë me vrap.

22. Ndërsa treqind burrat u binin borive, Zoti e ktheu shpatën e secilit kundër shokut të tij në tërë kampin. Ushtria armike ia mbathi në Beth-Shitah në drejtim të Tserahut, deri në buzë të Abel-Meholahut pranë Tabathit.

23. Atëherë izraelitët e Neftalit, të Asherit dhe të tërë Manasit u mblodhën dhe i ndoqën midianitët.

24. Gedeoni dërgoi pastaj lajmëtarë në të gjithë krahinën malore të Efraimit për të thënë: "Zbrisni kundër midianitëve dhe shtini në dorë vatë e lumenjve deri në Beth-Barah dhe në Jordan". Kështu tërë burrat e Efraimit u mblodhën dhe zunë vatë e lumenjve deri në Beth-Barah dhe në Jordan.

25. Dhe zunë dy princa të Midianit, Orebin dhe Zeebin; Orebin e vranë në shkëmbin e Orebit dhe Zeebin në grykën e Zeebit. I ndoqën midianitët dhe ia çuan kokat e Orebit dhe të Zeebit Gedeonit në krahun tjetër të Jordanit.

Lexoni kapitullin e plotë Gjyqtarët 7