Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjyqtarët 7:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Jerubaali, pra, (domethënë Gedeoni) dhe gjithë njerëzit që ishin me të u ngritën herët në mëngjes dhe fushuan pranë burimit të Harodit. Kampi i Midianit ndodhej në veri të tyre, pranë kodrës së Morehut, në luginë.

2. Atëherë Zoti i tha Gedeonit: "Për mua njerëzia që është me ty është tepër e madhe, që unë të jap Midianin në duart e tij; Izraeli do të mund të mburrej para meje duke thënë: "Është dora ime që më ka shpëtuar".

3. Prandaj shpalli tërë popullit, duke i thënë: "Ai që ka frikë dhe dridhet, le të kthehet prapa dhe të largohet nga mali i Galaadit"". Atëherë u kthyen prapa njëzet e dy mijë burra dhe mbetën në vend dhjetë mijë.

4. Zoti i tha Gedeonit: "Njerëzit janë përsëri shumë; bëji të zbresin në ujë dhe atje do t'i vë në provë për ty. Ai për të cilin do të them: "Ky të vijë me ty", ka për të ardhur me ty; dhe ai për të cilin do të them: "Ky mos të vijë me ty, nuk ka për të ardhur".

5. Gedeoni i vuri njerëzit të zbrisnin në ujë; dhe Zoti tha: "Tërë ata që do të lëpijnë ujin me gjuhë, ashtu siç e lëpin qeni, do t'i vësh mënjanë; dhe kështu do të veprosh edhe me të gjithë ata që do të gjunjëzohen për të pirë ujë".

6. Numri i atyre që lëpinë ujin duke e çuar në gojë me dorë arriti në treqind veta; gjithë të tjerët u gjunjëzuan për të pirë ujë.

7. Atëherë Zoti i tha Gedeonit: "Me anë të treqind burrave që lëpinë ujin unë do t'ju shpëtoj dhe do t'i jap midianitët në duart e tua. Gjithë të tjerat le të kthehen në shtëpitë e tyre".

8. Atëherë treqind burrat morën në duart e tyre ushqimet dhe boritë e tyre; kështu Gedeoni i ktheu tërë burrat e tjerë të Izraelit, secilin në çadrën e tij, por mbajti me vete treqind burrat. Kampi i Midianit gjendej poshtë tij, në luginë.

9. Po atë natë Zoti i tha Gedeonit: "Çohu dhe bjeri kampit, sepse unë ta kam lënë ty në dorë.

10. Por në rast se ke frikë ta bësh, zbrit në kamp me Purahun, shërbëtorin tënd,

11. dhe do të dëgjosh çfarë thonë; mbas kësaj, duart e tua do të forcohen dhe do të jesh në gjendje të sulmosh kampin". Ai zbriti, pra, deri në pozicionet e përparuara të kampit bashkë me Purahun, shërbëtorin e tij.

12. Por midianitët, amalekitët dhe tërë bijtë e lindjes ishin shpërndarë në luginë si një mori karkalecash dhe devetë e tyre të panumërta ishin si rëra që ndodhet mbi bregun e detit.

Lexoni kapitullin e plotë Gjyqtarët 7