Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjyqtarët 21:6-18 Bibla Shqip (ALBB)

6. Bijtë e Izraelit ishin të hidhëruar për Beniaminin, vëllanë e tyre, dhe thoshin: "Sot u zhduk një fis i Izraelit.

7. Si do të bëjmë t'u gjejmë gra atyre që shpëtuan, sepse jemi betuar në emër të Zotit të mos u japim atyre për grua asnjë prej vajzave tona?".

8. Pastaj thanë: "Cili është midis fiseve të Izraelit ai që nuk ka dalë para Zotit në Mitspah?". Dhe ja që asnjeri nga Jabesi i Galaadit nuk kishte ardhur në kamp për asamblenë;

9. në fakt u kalua në revistë populli, u vu re që në gjirin e tij nuk kishte asnjë nga banorët e Jabesit të Galaadit.

10. Atëherë asambleja dërgoi atje dymbëdhjetë mijë burra nga më trimat dhe u dha këtë urdhër, duke thënë: "Shkoni dhe vrisni me shpatë banorët e Jabesit të Galaadit, duke përfshirë gratë dhe fëmijët.

11. Do të veproni kështu: do të shfarosni çdo mashkull dhe çdo grua që ka pasur marrëdhënie seksuale me një burrë".

12. Ata gjetën midis banorëve të Jabesit të Galaadit katërqind vajza që nuk kishin pasur marrëdhënie seksuale me burra, dhe i çuan në kamp, në Shilon, që ndodhet në vendin e Kanaanit.

13. Atëherë tërë asambleja dërgoi lajmëtarë për të folur me bijtë e Beniaminit, që ndodheshin në shkëmbin e Rimonit, dhe për t'u shpallur paqen.

14. Kështu beniaminitët u kthyen dhe morën ato gra që nuk ishin vrarë në Jabes të Galaadit; por nuk pati mjaft për të gjithë.

15. Populli ishte i hidhëruar për ato që i kish bërë Beniaminit, sepse Zoti kishte hapur një të çarë midis fiseve të Izraelit.

16. Atëherë pleqtë e asamblesë thanë: "Si do të bëjmë t'u gjejmë gra atyre që kanë mbetur gjallë, mbasi gratë beniaminite janë vrarë?".

17. Pastaj thanë: "Njerëzit e Beniaminit që kanë mbetur gjallë duhet të kenë një trashëgimi, me qëllim që të mos zhduket një fis në Izrael.

18. Por ne nuk mund t'u japim atyre për bashkëshorte bijat tona", me qenë se bijtë e Izraelit ishin betuar, duke thënë: "I mallkuar qoftë ai që do t'i japë një grua Beniaminit!".

Lexoni kapitullin e plotë Gjyqtarët 21