Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjyqtarët 21:13-25 Bibla Shqip (ALBB)

13. Atëherë tërë asambleja dërgoi lajmëtarë për të folur me bijtë e Beniaminit, që ndodheshin në shkëmbin e Rimonit, dhe për t'u shpallur paqen.

14. Kështu beniaminitët u kthyen dhe morën ato gra që nuk ishin vrarë në Jabes të Galaadit; por nuk pati mjaft për të gjithë.

15. Populli ishte i hidhëruar për ato që i kish bërë Beniaminit, sepse Zoti kishte hapur një të çarë midis fiseve të Izraelit.

16. Atëherë pleqtë e asamblesë thanë: "Si do të bëjmë t'u gjejmë gra atyre që kanë mbetur gjallë, mbasi gratë beniaminite janë vrarë?".

17. Pastaj thanë: "Njerëzit e Beniaminit që kanë mbetur gjallë duhet të kenë një trashëgimi, me qëllim që të mos zhduket një fis në Izrael.

18. Por ne nuk mund t'u japim atyre për bashkëshorte bijat tona", me qenë se bijtë e Izraelit ishin betuar, duke thënë: "I mallkuar qoftë ai që do t'i japë një grua Beniaminit!".

19. Atëherë thanë: "Ja, çdo vit bëhet një festë për nder të Zotit në Shiloh, që ndodhet në veri të Bethelit, në lindje të rrugës që ngjitej nga Betheli në Sikem, dhe në jug të Lebonahut".

20. Kështu u dhanë këtë urdhër bijve të Beniaminit, duke u thënë: "Shkoni dhe fshihuni në vreshtat,

21. dhe rrini e shikoni; kur vajzat e Shilohut do të dalin për të hedhur valle në kor, ju do të dilni nga vreshtat, dhe secili do të rrëmbejë gruan e tij midis vajzave të Shilohut; pastaj do të shkoni në vendin e Beniaminit.

22. Kur etërit o vëllezërit e tyre do të vinë te ne për të protestuar, ne do t'u themi: "Na i jepni, ju lutem, sepse në këtë luftë nuk kemi zënë një grua për secilin prej tyre; por në rast se nuk ua jepni atyre as në këtë rast, ju do të jeni fajtorë"".

23. Bijtë e Beniaminit vepruan kështu: morën gra sipas numrit të tyre, midis valltareve; i rrëmbyen, pastaj u nisën dhe u kthyen në trashëgiminë e tyre, i rindërtuan qytetet dhe banuan në to.

24. Në të njëjtën kohë bijtë e Izraelit u nisën që andej, secili shkoi në fisin dhe në familjen e tij, e që andej secili u kthye në trashëgiminë e tij.

25. Në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij.

Lexoni kapitullin e plotë Gjyqtarët 21