Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjyqtarët 15:8-20 Bibla Shqip (ALBB)

8. Kështu i goditi në mënyrë të pamëshirshme, duke bërë kërdi të madhe. Pastaj zbriti dhe qëndroi në shpellën e shkëmbit të Etamit.

9. Atëherë filistenjtë dolën, ngritën kampin e tyre në Juda dhe u shtrinë deri në Lehi.

10. Njerëzit e Judës u thanë atyre: "Pse dolët kundër nesh?". Ata iu përgjigjën: "Dolëm për të kapur Sansonin dhe për t'i bërë atij atë që ai na ka bërë neve".

11. Atëherë tre mijë burra të Judës zbritën në shpellën e shkëmbit të Etamit dhe i thanë Sansonit: "Nuk e di që filistenjtë na sundojnë? Çfarë na bëre kështu?". Ai u përgjigj kështu: "Atë që më bënë mua, unë ua bëra atyre".

12. Ata i thanë: "Ne kemi zbritur që të të kapim dhe të të dorëzojmë në duart e filistenjve". Sansoni u përgjigj: "Betohuni që ju nuk do të më vrisni".

13. Atëherë ata i folën duke thënë: "Jo, vetëm do të të lidhim dhe do të të dorëzojmë në duart e tyre; por me siguri nuk do të të vrasim". Kështu e lidhën me dy litarë të rinj dhe e nxorën nga shpella.

14. Kur arriti në Lehi, filistenjtë i dolën përpara me klithma gëzimi; por Fryma e Zotit erdhi fuqishëm mbi të dhe litarët që kishte në krahë u bënë si fije liri që digjen; dhe lidhjet i ranë nga duart.

15. Gjeti pastaj një nofull gomari akoma të freskët, shtriu dorën dhe e kapi; me të vrau një mijë njerëz.

16. Atëherë Sansoni tha: "Me një nofull gomari, pirgje mbi pirgje! Me një nofull gomari vrava një mijë njerëz".

17. Kur mbaroi së foluri hodhi nofullën dhe e quajti atë vend Ramath-Lehi.

18. Pastaj pati një etje të madhe dhe kërkoi ndihmën e Zotit, duke thënë: "Ti lejove këtë çlirim të madh me dorën e shërbëtorit tënd, por a duhet të vdes unë tani nga etja dhe të bie në duart e atyre që nuk janë rrethprerë?".

19. Atëherë Perëndia çau shkëmbin e lugët që ndodhet në Lehi dhe doli ujë prej tij. Ai piu ujë, fryma i tij u gjallërua dhe ai mori jetë. Prandaj e quajti këtë burim En-Hakore; ajo ekziston në Lehi edhe sot.

20. Sansoni qe gjyqtar i Izraelit për njëzet vjet në kohën e filistenjve.

Lexoni kapitullin e plotë Gjyqtarët 15