Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjyqtarët 13:2-19 Bibla Shqip (ALBB)

2. Ishte një njeri nga Tsorahu, prej familjes së danitëve, që quhej Manoah; gruaja e tij ishte shterpë dhe nuk kishte fëmijë.

3. Engjëlli i Zotit iu shfaq kësaj gruaje dhe i tha: "Ja, ti je shterpë dhe nuk ke fëmijë, por ke për të mbetur me barrë dhe do të pjellësh një fëmijë.

4. Prandaj ruhu se pi verë o pije dehëse, dhe mos ha asnjë gjë të papastër.

5. Sepse ti do të mbetesh me barrë dhe do të pjellësh një djalë, mbi kokën e të cilit nuk do të kalojë brisku, sepse fëmija do të jetë një nazire kushtuar Perëndisë që në barkun e nënës së tij; ai do të fillojë ta çlirojë Izraelin nga duart e filistenjve".

6. Atëherë gruaja shkoi t'i thotë bashkëshortit të saj: "Një njeri i Perëndisë erdhi tek unë; pamja e tij ishte si ajo e Engjëllit të Perëndisë, me të vërtetë e frikshme. Unë nuk e pyeta se nga vinte, dhe ai nuk më tha emrin e tij;

7. por më tha: "Ja, ti do të mbetesh me barrë dhe do të pjellësh një djalë; prandaj tani mos pi verë as pije dehëse, dhe mos ha asgjë të papastër, sepse fëmija do të jetë një nazire i kushtuar Perëndisë që në barkun e nënës së tij deri në ditën e vdekjes së tij"".

8. Atëherë Manoahu iu lut me të madhe Zotit dhe i tha: "O Zot, të lutem që njeriu i Perëndisë i dërguar prej teje të kthehet përsëri pranë nesh dhe të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë me fëmijën që ka për të lindur".

9. Perëndia e dëgjoi zërin e Manoahut; dhe Engjëlli i Perëndisë u kthye përsëri te gruaja, ndërsa ajo ndodhej në arë, por burri i saj Manoah nuk ishte me të.

10. Dhe gruaja me të shpejtë shkoi të informojë bashkëshortin e saj dhe i tha: "Ja, m'u shfaq ai burrë, që erdhi tek unë pardje".

11. Atëherë Manoahu u ngrit dhe ndoqi gruan e tij dhe, kur arritën tek ai njeri, i tha: "Ti je ai njeri që i foli kësaj gruaje?". Ai u përgjigj: "Jam unë".

12. Por Manoahu tha: "Kur të realizohet fjala jote, cili duhet të jetë stili i jetës së djalit dhe ç'duhet të bëjë?".

13. Engjëlli i Zotit iu përgjigj Manoahut: "Gruaja duhet të ketë kujdes për të gjitha ato që i thashë.

14. Të mos hajë asnjë nga prodhimet e rrushit, të mos pijë verë a pije dehëse, dhe të mos hajë asnjë gjë të papastër; të ketë parasysh të gjitha porositë që i kam urdhëruar".

15. Atëherë Manoahu i tha Engjëllit të Zotit: "Na lejo të të mbajmë dhe të të përgatisim një kec!".

16. Engjëlli i Zotit iu përgjigj Manoahut me këto fjalë: "Edhe sikur të më mbash nuk do ta ha ushqimin tënd; por në rast se ti dëshiron të bësh një holokaust, ofroja Zotit". (Manoahu nuk e dinte se ai ishte Engjëlli i Zotit).

17. Pastaj Manoahu i tha Engjëllit të Zotit: "Cili është emri yt që të realizohen fjalët e tua, ne të kemi mundësi të të nderojmë?".

18. Engjëlli i Zotit iu përgjigj: "Pse vallë kërkon të mësosh emrin tim? Ai është i mrekullueshëm".

19. Kështu Manoahu mori kecin dhe blatimin e ushqimit dhe ia ofroi Zotit mbi gurin. Atëherë Engjëlli bëri një mrekulli, ndërsa Manoahu dhe e shoqja shikonin;

Lexoni kapitullin e plotë Gjyqtarët 13