Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjyqtarët 11:5-19 Bibla Shqip (ALBB)

5. Kur bijtë e Amonit filluan luftën kundër Izraelit, pleqtë e Galaadit shkuan ta kërkojnë Jefteun në vendin e Tobit;

6. dhe i thanë Jefteut: "Eja me ne dhe bëhu kapedani ynë, për të luftuar kundër bijve të Amonit".

7. Por Jefteu iu përgjigj pleqve të Galaadit duke thënë: "A nuk më keni urryer dhe dëbuar nga shtëpia e atit tim? Pse vini tani tek unë kur jini keq?".

8. Pleqtë e Galaadit i thanë Jefteut: "Pikërisht për këtë jemi kthyer tani te ti, me qëllim që ti të vish me ne për të luftuar kundër bijve të Amonit, dhe të vihesh në krye të gjithë banorëve të Galaadit".

9. Atëherë Jefteu iu përgjigj pleqve të Galaadit: "Në qoftë se më ktheni tek ju për të luftuar kundër bijve të Amonit, dhe Zoti i lë në pushtetin tim, unë do të bëhem komandanti juaj".

10. Pleqtë e Galaadit i thanë Jefteut: "Zoti le të jetë dëshmitar midis nesh, në rast se nuk veprojmë ashtu si ke thënë ti".

11. Pastaj Jefteu shkoi tek pleqtë e Galaadit dhe populli e zgjodhi komandant dhe udhëheqës të tij; dhe Jefteu përsëriti para Zotit në Mitspah tërë fjalët që pati thënë më parë.

12. Pastaj Jefteu i dërgoi lajmëtarë mbretit të bijve të Amonit për t'i thënë: "Çfarë ka midis teje dhe meje, që ti të vish e të bësh luftë në vendin tim?".

13. Mbreti i bijve të Amonit iu përgjigj me këto fjalë lajmëtarëve të Jefteut: "Sepse, kur Izraeli doli nga Egjipti, ai pushtoi vendin tim, nga Arnoni deri në Jabok dhe në Jordan. Tani, pra, m'i kthe këto toka në mënyrë miqësore".

14. Jefteu i dërgoi përsëri lajmëtarë mbretit të bijve të Amonit për t'i thënë:

15. "Kështu thotë Jefteu: Izraeli nuk shtiu në dorë as vendin e Moabit, as vendin e bijve të Amonit;

16. por kur Izraeli doli nga Egjipti dhe kapërceu shkretëtirën deri në Detin e Kuq dhe arriti në Kadesh,

17. i dërgoi lajmëtarë mbretit të Edomit për t'i thënë: "Të lutem më lër të kaloj nëpër vendin tënd"; por mbreti i Edomit nuk pranoi. I dërgoi lajmëtarë edhe mbretit të Moabit, por edhe ky nuk pranoi. Kështu Izraeli mbeti në Kadesh.

18. Duke ecur pastaj nëpër shkretëtirë, shkoi rreth vendit të Edomit dhe vendit të Moabit e arriti në lindje të vendit të Moabit; dhe ngriti kampin e tij matanë Arnonit, pa hyrë të territorin e Moabit, sepse Arnoni përfaqëson kufirin e Moabit.

19. Pastaj Izraeli i dërgoi lajmëtarë Sihonit, mbretit të amorenjve, dhe të Heshbonit, dhe i tha: "Të lutemi, na lër të kalojmë nëpër vendin tënd për të arritur në tonin".

Lexoni kapitullin e plotë Gjyqtarët 11