Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjyqtarët 1:11-28 Bibla Shqip (ALBB)

11. Që këtej marshoi kundër banorëve të Debirit (që më parë quhej Kirjath-Sefer).

12. Atëherë Kalebi tha: "Atij që do të sulmojë Kiriath-Seferin dhe do ta shtjerë në dorë, unë do t'i jap për grua bijën time Aksah".

13. E pushtoi Othnieli, bir i Kenazit, vëllai i vogël i Kalebit, dhe ky i dha për grua bijën e tij Aksah.

14. Kur ajo erdhi të banojë me të, e bindi t'i kërkojë të atit të saj një fushë. Sapo ajo zbriti nga gomari, Kalebi e pyeti: "Çfarë kërkon?".

15. Ajo u përgjigj: "Më bëj një dhuratë, me qenë se ti më dhe toka në Negev, më jep edhe disa burime ujore". Atëherë ai i dhuroi burimet e sipërme dhe ato të poshtme.

16. Atëherë bijtë e Keneut, vjehrrit të Moisiut, shkuan nga qyteti i palmave bashkë me bijtë e Judës në shkretëtirën e Judës, që ndodhet në Negev, afër Aradit; shkuan dhe u vendosën midis popullit.

17. Pastaj Juda u nis bashkë me vëllanë e tij Simeon dhe mundi kanaanenjtë që banonin në Tsefath dhe vendosën shfarosjen e tyre; për këtë arsye qyteti u quajt Hormah.

18. Juda mori edhe Gazën me territorin e saj, Askalonin me territorin e tij dhe Ekronin me territorin e tij.

19. Kështu Zoti mbajti anën e Judës, që dëboi banorët e krahinës malore, por nuk mundi të dëbojë banorët e fushës, sepse kishin qerre të hekurta.

20. Pastaj i dhanë Hebronin Kalebit, ashtu si kishte thënë Moisiu; dhe ai i dëboi tre bijtë e Anakut.

21. Bijtë e Beniaminit nuk arritën t'i dëbojnë jebusenjtë që banonin në Jeruzalem; kështu jebusenjtë kanë banuar bashkë me bijtë e Beniaminit në Jeruzalem deri në ditën e sotme.

22. Edhe shtëpia e Jozefit u ngrit gjithashtu kundër Bethelit, dhe Zoti qe me ta.

23. Shtëpia e Jozefit dërgoi njerëz për të vëzhguar në Bethel (qytet që më parë quhej Luc).

24. Zbuluesit panë një burrë që dilte nga qyteti dhe i thanë: "Tregona rrugën për të hyrë në qytet dhe ne do të tregohemi të mëshirshëm me ty".

25. Ai u tregoi rrugën për të hyrë në qytet, dhe ata i vranë me shpatë banorët e qytetit, por e lanë të shkojë atë burrë me gjithë familjen e tij.

26. Ai shkoi në vendin e hitenjve dhe ndërtoi aty një qytet që e quajti Luc, emër që mban edhe sot e kësaj dite.

27. Manasi përkundrazi nuk i dëboi banorët e Beth-Sheanit dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Tanaakut dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Dorit dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Ibleamit dhe të fshatrave të tij kufitarë, as banorët e Megidos dhe të fshatrave të tij kufitarë, sepse kanaanenjtë ishin të vendosur të qëndronin në atë vend.

28. Më vonë, kur Izraeli u bë i fortë, i nënshtroi kanaanenjtë dhe i bëri skllevër, por nuk i dëboji krejt.

Lexoni kapitullin e plotë Gjyqtarët 1