11. Që këtej marshoi kundër banorëve të Debirit (që më parë quhej Kirjath-Sefer).
12. Atëherë Kalebi tha: "Atij që do të sulmojë Kiriath-Seferin dhe do ta shtjerë në dorë, unë do t'i jap për grua bijën time Aksah".
13. E pushtoi Othnieli, bir i Kenazit, vëllai i vogël i Kalebit, dhe ky i dha për grua bijën e tij Aksah.
14. Kur ajo erdhi të banojë me të, e bindi t'i kërkojë të atit të saj një fushë. Sapo ajo zbriti nga gomari, Kalebi e pyeti: "Çfarë kërkon?".
15. Ajo u përgjigj: "Më bëj një dhuratë, me qenë se ti më dhe toka në Negev, më jep edhe disa burime ujore". Atëherë ai i dhuroi burimet e sipërme dhe ato të poshtme.
16. Atëherë bijtë e Keneut, vjehrrit të Moisiut, shkuan nga qyteti i palmave bashkë me bijtë e Judës në shkretëtirën e Judës, që ndodhet në Negev, afër Aradit; shkuan dhe u vendosën midis popullit.
17. Pastaj Juda u nis bashkë me vëllanë e tij Simeon dhe mundi kanaanenjtë që banonin në Tsefath dhe vendosën shfarosjen e tyre; për këtë arsye qyteti u quajt Hormah.
18. Juda mori edhe Gazën me territorin e saj, Askalonin me territorin e tij dhe Ekronin me territorin e tij.
19. Kështu Zoti mbajti anën e Judës, që dëboi banorët e krahinës malore, por nuk mundi të dëbojë banorët e fushës, sepse kishin qerre të hekurta.
20. Pastaj i dhanë Hebronin Kalebit, ashtu si kishte thënë Moisiu; dhe ai i dëboi tre bijtë e Anakut.
21. Bijtë e Beniaminit nuk arritën t'i dëbojnë jebusenjtë që banonin në Jeruzalem; kështu jebusenjtë kanë banuar bashkë me bijtë e Beniaminit në Jeruzalem deri në ditën e sotme.
22. Edhe shtëpia e Jozefit u ngrit gjithashtu kundër Bethelit, dhe Zoti qe me ta.
23. Shtëpia e Jozefit dërgoi njerëz për të vëzhguar në Bethel (qytet që më parë quhej Luc).
24. Zbuluesit panë një burrë që dilte nga qyteti dhe i thanë: "Tregona rrugën për të hyrë në qytet dhe ne do të tregohemi të mëshirshëm me ty".