Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Fjalët e Urta 8:19-35 Bibla Shqip (ALBB)

19. Fryti im është më i mirë se ari, po, se ari i kulluar, dhe prodhimi im më tepër se argjendi i zgjedhur.

20. Unë eci në rrugën e drejtësisë, në mes të shtigjeve të drejtësisë,

21. për t'i bërë ata që më duan të trashëgojnë pasurinë e vërtetë dhe për të mbushur thesaret e tyre.

22. Zoti më zotëroi në fillim të rrugës së tij, përpara veprave të tij më të lashta.

23. U vendosa nga amshimi, që në krye, para se toka të ekzistonte.

24. Më prodhuan kur nuk kishte ende humnera, kur nuk kishte burime me ujë të bollshëm.

25. Më prodhuan para se themelet e maleve të ishin përforcuar, para kodrinave,

26. kur nuk kishte sajuar ende as tokën, as fushat dhe as plisat e para të dheut.

27. Kur ai fiksonte qiejt, unë isha aty; kur bënte një rreth mbi sipërfaqen e humnerës,

28. kur i bënte të qëndrueshëm qiejt e epërm, kur përforconte burimet e humnerës,

29. kur i caktonte detit caqet e tij në mënyrë që ujërat të mos kalonin përtej urdhrit të tij, kur vendoste themelet e dheut,

30. unë isha pranë tij si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij;

31. kënaqesha në pjesën e banueshme të botës dhe gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve.

32. Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia!

33. Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë!

34. Lum ai njeri që më dëgjon, duke u gdhirë çdo ditë te portat e mia dhe duke ruajtur shtalkat e portave të mia.

35. Sepse ai që më gjen, gjen jetën, dhe siguron përkrahjen e Zotit.

Lexoni kapitullin e plotë Fjalët e Urta 8