Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Fjalët e Urta 30:11-20 Bibla Shqip (ALBB)

11. Ka një kategori njerëzish që mallkojnë atin e tyre dhe nuk bekojnë nënën e tyre.

12. Ka një kategori njerëzish që e mbajnë veten për të pastër, por nuk janë të larë nga papastërtia e vet.

13. Ka një kategori njerëzish që i ka sytë shumë kryelartë dhe qepallat krenare.

14. Ka një kategori njerëzish dhëmbët e të cilëve janë si shpata dhe dhëmballët e tyre janë si thika, për të gëlltitur të varfrit mbi faqen e dheut dhe nevojtarët në mes të njerëzve.

15. Shushunja ka dy bija, që thonë: "Më jep, më jep!". Ka tri gjëra që nuk ngopen kurrë, madje katër nuk thonë kurrë: "Mjaft!".

16. Sheoli, barku shterp, toka që nuk ngopet me ujë dhe zjarri që nuk thotë kurrë: "Mjaft!".

17. Syrin që tallet me babanë dhe nuk pranon me përbuzje t'i bindet nënës, do ta nxjerrin korbat e përroit, do ta hanë të vegjlit e shqiponjës.

18. Ka tri gjëra tepër të mrekullueshme për mua, madje katër, që unë nuk i marr vesh:

19. gjurma e shqiponjës në ajër, gjurma e gjarprit mbi shkëmb, gjurma e anijes në mes të detit dhe gjurma e burrit me një vajzë.

20. Kjo është sjellja e gruas që ka shkelur kurorën: ha, fshin gojën dhe thotë: "Nuk kam bërë asnjë të keqe!".

Lexoni kapitullin e plotë Fjalët e Urta 30