Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Fjalët e Urta 29:12-27 Bibla Shqip (ALBB)

12. Në rast se një mbret dëgjon fjalët gënjeshtare, tërë ministrat e tij bëhen të pabesë.

13. I varfri dhe shtypësi kanë këtë të përbashkët: Zoti ndriçon sytë e të dy palëve.

14. Mbreti që u siguron drejtësi të varfërve në të vërtetë do ta ketë fronin të vendosur përgjithnjë.

15. Shufra dhe qortimi japin dituri; por fëmija për të cilën nuk kujdeset kurrkush e turpëron nënën e vet.

16. Kur shtohen të pabesët shtohen edhe shkeljet, por të drejtët do të shohin shkatërrimin e tyre.

17. Korrigjo birin tënd, ai do të japë rehatinë dhe do t'i sigurojë kënaqësi shpirtit tënd.

18. Kur nuk ka një vizion profetik, populli bëhet i shfrenuar, por lum ai që respekton ligjin.

19. Një shërbëtor nuk ndreqet vetëm me fjalë; edhe kur i kupton, nuk bindet.

20. A ke parë një njeri që ngutet në të folur? Ka më tepër shpresa te një budalla se sa tek ai.

21. Në se dikush rrit me përkujdesje qysh në fëmijëri shërbëtorin e vet, në fund ai do të dojë të bëhet trashëgimtar i tij.

22. Njeriu zemërak kurdis grindje dhe njeriu idhnak kryen shumë mëkate.

23. Kryelartësia e njeriut e çon poshtë atë, por ai që ka një shpirt të përvuajtur do të ketë lavdi.

24. Kush bëhet ortak me një vjedhës urren jetën e vet. Ai dëgjon betimin, por nuk padit asgjë.

25. Frika e njeriut përbën një lak, por ai që ka besim te Zoti është i siguruar.

26. Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit, por drejtësia për çdo njeri vjen nga Zoti.

27. Njeriu jo i drejtë është një neveri për të drejtët, dhe ai që ecën me ndershmëri është një neveri për të pabesët.

Lexoni kapitullin e plotë Fjalët e Urta 29