Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Fjalët e Urta 26:11-22 Bibla Shqip (ALBB)

11. Ashtu si një qen kthehet në të vjellat e tij, kështu budallai e përsërit budallallëkun e tij.

12. A ke parë një njeri që e pandeh veten të urtë? Ka më tepër shpresë për një budalla se sa për të.

13. Përtaci thotë: "Ka një luan në rrugë, ka një luan nëpër rrugë!".

14. Ashtu si lëviz porta në menteshat e saj, kështu sillet përtaci në shtrat të tij.

15. Përtaci e fut dorën në pjatën e tij, por lodhet edhe ta çojë te goja.

16. Përtaci pandeh se është më i urtë se shtatë persona që japin përgjigje me mend.

17. Kalimtari që përzihet në një grindje që nuk i përket, është si ai që kap nga veshët një qen.

18. Ashtu si një i marrë që gjuan me ura zjarri, me shigjeta dhe me vdekje,

19. kështu është ai që mashtron të afërmin dhe thotë: "E bëra për shaka!".

20. Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet; dhe kur nuk ka një gojë të keqe, grindja merr fund.

21. Ashtu si qymyri jep shpuzën dhe drutë zjarrin, kështu njeriu grindavec i nxit grindjet.

22. Fjalët e gojëkeqit janë si ushqime shumë të shijshme dhe depërtojnë deri në thellësi të zorrëve.

Lexoni kapitullin e plotë Fjalët e Urta 26