Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Fjalët e Urta 26:1-14 Bibla Shqip (ALBB)

1. Ashtu si bora nuk i shkon verës as shiu të korrave, kështu nuk i shkon lavdia budallait.

2. Ashtu si harabeli fluturon andej e këtej dhe dallëndyshja fluturon, kështu mallkimi pa arsye nuk ka efekt.

3. Kamxhiku për kalin, kapistra për gomarin dhe shkopi për kurrizin e budallenjve.

4. Mos iu përgjigj budallait sipas budallallëkut të tij, që të mos bëhesh edhe ti si ai.

5. Përgjigjju budallait sipas budallallëkut të tij, që ai të mos mendojë se është i urtë.

6. Kush dërgon një mesazh me anë të një budallai pret këmbët e tij dhe pi dhunë.

7. Ashtu si këmbët e çalamanit janë pak të qëndrueshme, kështu është një fjalë e urtë në gojën e budallenjve.

8. Kush i jep lavdi një budallai është si ai që lidh një gur te hobeja.

9. Një fjalë e urtë në gojën e budallenjve është si një gjemb që hyn në dorën e një të dehuri.

10. Perëndia i madh që ka krijuar të gjitha gjërat është ai që i jep shpërblimin budallait dhe shkelësve.

11. Ashtu si një qen kthehet në të vjellat e tij, kështu budallai e përsërit budallallëkun e tij.

12. A ke parë një njeri që e pandeh veten të urtë? Ka më tepër shpresë për një budalla se sa për të.

13. Përtaci thotë: "Ka një luan në rrugë, ka një luan nëpër rrugë!".

14. Ashtu si lëviz porta në menteshat e saj, kështu sillet përtaci në shtrat të tij.

Lexoni kapitullin e plotë Fjalët e Urta 26