Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Fjalët e Urta 24:11-26 Bibla Shqip (ALBB)

11. Çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe mbaji ata që po i çojnë në thertore.

12. Po të thuash: "Ja, ne nuk e dinim", ai që peshon zemrat a nuk e shikon? Ai që ruan shpirtin tënd nuk e di vallë? Ai do t'i japë secilit sipas veprave të tij.

13. Biri im, ha mjaltin sepse është i mirë; një huall mjalti do të jetë i ëmbël për shijen tënde.

14. Kështu do të jetë njohja e diturisë për shpirtin tënd. Në rast se e gjen, do të ketë një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.

15. O i pabesë, mos ngre kurthe kundër banesës së njeriut të drejtë, mos shkatërro vendin ku ai pushon,

16. sepse i drejti bie shtatë herë dhe ngrihet, kurse të pabesët përmbysen në fatkeqësi.

17. Kur armiku yt bie, mos u gëzo; kur është shtrirë për tokë, zemra jote të mos gëzohet,

18. me qëllim që Zoti të mos shikojë dhe të mos i vijë keq, dhe të mos largojë prej tij zemërimin e vet.

19. Mos u zemëro për shkak të atyre që bëjnë të keqen dhe mos i ki smirë të pabesët,

20. sepse nuk do të ketë të ardhme për të keqin; llamba e të pabesëve do të fiket.

21. Biri im, ki frikë nga Zoti dhe nga mbreti; mos u bashko me ata që duan të ndryshojnë;

22. mjerimi i tyre do të vijë papritmas, dhe shkatërrimin e të dy palëve kush e njeh?

23. Edhe këto gjëra janë për të urtit. Nuk është mirë të kesh preferenca personale në gjykim.

24. Ai që i thotë të pabesit: "Ti je i drejtë", do të mallkohet nga popujt dhe kombet do ta nëmin.

25. Por ata që e qortojnë të pabesin do të gjejnë kënaqësi dhe mbi ta do të zbresin bekimet më të mira.

26. Ai që jep një përgjigje të drejtë jep një të puthur mbi buzët.

Lexoni kapitullin e plotë Fjalët e Urta 24