Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Fjalët e Urta 21:1-17 Bibla Shqip (ALBB)

1. Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; atë e drejton ngado që do ai.

2. Çdo rrugë e njeriut është e drejtë në sytë e tij, por Zoti i peshon zemrat.

3. Të zbatosh drejtësinë dhe paanësinë është një gjë që i pëlqen Zotit më shumë se flijimi.

4. Sytë krenarë dhe një zemër kryelartë, që janë llamba e të pabesëve, janë mëkat.

5. Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri.

6. Të përftosh thesare me një gjuhë gënjeshtare është një kotësi kalimtare e atij që kërkon vdekjen.

7. Dhuna e të pabesëve merr tutje, sepse ata nuk pranojnë të zbatojnë drejtësinë.

8. Rruga e njeriut të fajshëm është dredha-dredha, por njeriu i drejtë vepron ndershmërisht.

9. Është më mirë të banosh mbi qoshen e një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece.

10. Shpirti i të pabesit dëshiron të keqen; as shoku i tij nuk gjen mëshirë në sytë e tij.

11. Kur tallësi ndëshkohet, i thjeshti bëhet i urtë; por kur i urti mësohet ai fiton dije.

12. I drejti vëren me kujdes shtëpinë e të pabesit dhe përmbys të pabesët, sepse janë të këqij.

13. Kush mbyll veshin ndaj britmës së të varfrit, do të bërtasë edhe ai, por nuk do të ketë përgjigje.

14. Një dhuratë që bëhet fshehtas e fashit zemërimin dhe një dhuratë që jepet nën dorë qetëson zemërimin e fortë.

15. Të bësh atë që është e drejtë është një gëzim për të drejtin, por është një rrënim për ata që kryejnë paudhësi.

16. Njeriu që largohet nga rruga e maturisë ka për të banuar në kuvendin e të vdekurve.

17. Ai që i do qejfet do të jetë në varfëri, ai që e do verën dhe vajin nuk do të pasurohet.

Lexoni kapitullin e plotë Fjalët e Urta 21