Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Fjalët e Urta 20:1-18 Bibla Shqip (ALBB)

1. Vera është tallëse, pija dehëse është e turbullt dhe kush jepet pas tyre nuk është i urtë.

2. Frika e mbretit është si ulërima e luanit; kush ia nxit zemërimin mëkaton kundër vetë jetës së vet.

3. Është një lavdi për njeriun t'u shmanget grindjeve, por çdo budalla përzihet në to.

4. Përtaci nuk lëron për shkak të të ftohtit; për pasojë do të lypë në kohën e vjeljeve, por nuk do të ketë asgjë.

5. Këshilla në zemrën e njeriut është si uji i thellë, por njeriu me mend do të dijë të mbushë nga ai ujë.

6. Shumë njerëz shpallin mirësinë e tyre; por kush mund të gjejë një njeri besnik?

7. I drejti ecën në ndershmërinë e tij; bijtë e tij do të bekohen pas atij.

8. Një mbret që ulet mbi fronin e gjyqit davarit me vështrimin e tij çdo të keqe.

9. Kush mund të thotë: "Pastrova zemrën time, jam i pastruar nga mëkati im"?

10. Peshimi i dyfishtë dhe matja e dyfishtë janë që të dyja gjëra të neveritshme për Zotin.

11. Edhe fëmija me veprimet e tij tregon në se ajo që bën është e pastër dhe e ndershme.

12. Veshin që dëgjon dhe syrin që sheh i ka bërë që të dy Zoti.

13. Mos e duaj gjumin që të mos varfërohesh; mbaji sytë hapur dhe do të kesh bukë sa të ngopesh.

14. "Është i keq, është i keq", thotë blerësi; por mbasi ai ka ikur, lavdërohet për blerjen.

15. Ka flori dhe margaritarë të shumtë, por buzët e pasura me dije janë një xhevahir i çmuar.

16. Merre rrobën e atij që është bërë garant për një të huaj, dhe mbaje si peng për gruan e huaj.

17. Buka e nxjerrë me hile është e ëmbël për njeriun, por pastaj goja e tij do të mbushet me zaje.

18. Planet bëhen të qëndrueshme nga këshilla; prandaj bëje luftën me këshilla të urta.

Lexoni kapitullin e plotë Fjalët e Urta 20