Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Fjalët e Urta 19:1-20 Bibla Shqip (ALBB)

1. Është më i mirë një i varfër që ecën në ndershmërinë e tij se sa ndonjë që është i çoroditur nga buzët dhe që është budalla.

2. Përveç kësaj nuk është mirë që një shpirt të jetë pa dije; kush ecën me hapa të shpejta gabon rrugë.

3. Budallallëku i njeriut e bën rrugën e tij të rrëshqitshme dhe zemra e tij pezmatohet kundër Zotit.

4. Pasuritë sigurojnë një numër të madh miqsh, por i varfri ndahet nga vet miku i tij.

5. Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar dhe ai që thotë gënjeshtra nuk do të ketë shpëtim.

6. Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit dhe të gjithë janë miq të atij që bën dhurata.

7. Të gjithë vëllezërit e të varfrit e urrejnë atë, aq më tepër largohen prej tij miqtë e vet. Ai mund t'u shkojë pas me fjalë, por ata nuk gjenden më.

8. Kush fiton mençuri do vetë jetën e tij dhe ai që mbetet i matur do të gjejë të mirën.

9. Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar, dhe ai që thotë gënjeshtra do të humbasë.

10. Të jetuarit në kënaqësi nuk i shkon budallait, dhe aq më pak një shërbëtori të sundojë mbi princat.

11. Mençuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t'i kapërcejë fyerjet.

12. Zemërimi i mbretit është si ulërima e një luani, por favori i tij është si vesa mbi bar.

13. Një bir budalla është një fatkeqësi për të atin, dhe grindjet e vazhdueshme të bashkëshortes së tij janë si një e pikuar e vazhdueshme.

14. Shtëpia dhe pasuritë janë trashëgimi nga etërit, por një bashkëshorte e mençur vjen nga Zoti.

15. Përtacia të bën të biesh në një gjumë të thellë dhe njeriu i plogët do të vuajë nga uria.

16. Kush respekton urdhërimin ruan jetën e tij, por ai që lë pas dore sjelljen e tij ka për të vdekur.

17. Ai që ka mëshirë për të varfrin i jep hua Zotit, i cili do t'ia kthejë ato që i ka dhënë.

18. Ndëshko birin tënd sa ka shpresë, por mos u shty derisa të shkaktosh vdekjen e tij.

19. Njeriu shumë gjaknxehtë duhet të ndëshkohet si pasojë e kësaj, sepse po nuk u ndëshkua, ai do të bëhet edhe më tepër gjaknxehtë.

20. Dëgjo këshillën dhe prano mësimet, që ti të bëhesh i urtë për kusurin e ditëve të tua.

Lexoni kapitullin e plotë Fjalët e Urta 19