Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Fjalët e Urta 16:7-20 Bibla Shqip (ALBB)

7. Kur Zotit i pëlqejnë rrugët e një njeriu, ai bën që edhe armiqtë e tij të bëjnë paqe me të.

8. Më mirë të kesh pak me drejtësi, se sa të ardhura të mëdha pa drejtësi.

9. Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij.

10. Mbi buzët e mbretit është një vendim hyjnor; gjatë gjykimit goja e tij nuk duhet të gabojë.

11. Kandari dhe peshoret e sakta janë të Zotit, të gjitha gurët e peshës janë vepër e tij.

12. Është një gjë e neveritshme për mbretërit të bëjnë të keqen, sepse froni bëhet i qëndrueshëm me drejtësinë.

13. Buzët e drejta u pëlqejnë mbretërve; ata e duan atë që flet drejt.

14. Zemërimi i mbretit është si lajmëtari i vdekjes, por njeriu i urtë do ta qetësojë atë.

15. Në dritën e fytyrës së mbretit ka jetë, dhe favori i tij është si reja e shiut të fundit.

16. Është më mirë të fitosh dituri se sa ar, dhe të fitosh mençuri se sa argjend.

17. Rruga kryesore e njerëzve të drejtë është të evitojnë të keqen; ai që do ta ruajë shpirtin e tij mbikëqyr rrugën e tij.

18. Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.

19. Më mirë të kesh frymë të përulur me të mjerët se sa të ndash prenë me krenarët.

20. Kush i kushton kujdes Fjalës do të gjejë të mirën, dhe kush i beson Zotit është i lumtur.

Lexoni kapitullin e plotë Fjalët e Urta 16