Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Fjalët e Urta 11:3-21 Bibla Shqip (ALBB)

3. Njerëzit e drejtë udhëhiqen nga ndershmëria, por ligësia e të pabesëve do t'i shkatërrojë këta.

4. Pasuritë nuk sjellin dobi ditën e zemërimit, por drejtësia të shpëton nga vdekja.

5. Drejtësia e njeriut të ndershëm i hap rrugën, por i pabesi bie për shkak të paudhësisë së tij.

6. Drejtësia e njerëzve të drejtë i çliron këta, por njerëzit e pabesë do të kapen nga vetë ligësia e tyre.

7. Kur vdes një i pabesë, shpresa e tij humb dhe shpresa e njerëzve të padrejtë davaritet.

8. I drejti çlirohet nga fatkeqësia, por i pabesi i zë vendin.

9. Me gojën e tij hipokriti shkatërron të afërmin e tij, por të drejtët çlirohen për shkak të dijes së tyre.

10. Kur të drejtët begatohen, qyteti gëzohet; por kur vdesin të pabesët, dëgjohen britma gëzimi.

11. Nga bekimi i njerëzve të drejtë qyteti ngrihet, por goja e të pafeve e çon në shkatërrim.

12. Kush e përbuz të afërmin e tij nuk ka mend, por njeriu i matur hesht.

13. Kush shkon rreth e qark duke përfolur, nxjerr sekretet, por ai që ka një shpirt besnik i fsheh ato.

14. Pa një udhëheqje të urtë populli bie, por gjen shpëtim në numrin e madh të këshilltarëve.

15. Kush bëhet garant për një të huaj do të pësojë dëmet e këtij veprimi, por ai që refuzon të japë dorën si garant është i sigurt.

16. Gruaja e bukur fiton lavdinë dhe njerëzit e dhunshëm grumbullojnë pasuri.

17. Njeriu i mëshirshëm i bën të mirë vetes, kurse njeriu mizor mundon mishin e tij.

18. I pabesi realizon një fitim të rremë, por ai që mbjell drejtësi do të ketë një shpërblim të sigurt.

19. Ashtu si drejtësia të çon në jetë, kështu ai që shkon pas të keqes gjen vdekjen.

20. Të çoroditurit nga zemra janë të neveritur për Zotin, por ata që janë të ndershëm në sjelljen e tyre pëlqehen nga ai.

21. Edhe kur i shtrëngon dorën një tjetri për një besëlidhje, njeriu i keq nuk do të mbetet i pandëshkuar, por pasardhësit e të drejtëve do të shpëtojnë.

Lexoni kapitullin e plotë Fjalët e Urta 11