Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Fjalët e Urta 10:8-27 Bibla Shqip (ALBB)

8. Zemërurti i pranon urdhërimet, por fjalamani budalla do të rrëzohet.

9. Ai që ecën në ndershmëri ecën i sigurt, por ai që ndjek rrugë dredharake ka për t'u zbuluar.

10. Kush e shkel syrin shkakton vuajtje, por fjalamani budalla do të rrëzohet.

11. Goja e të drejtit është një burim jete, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.

12. Urrejtja shkakton grindje, por dashuria mbulon të gjitha fajet.

13. Dituria gjendet mbi buzët e atyre që kanë mendje, por shkopi është për kurrizin e atyre që nuk kanë mend.

14. Të urtët grumbullojnë njohuri, por goja e budallait është një shkatërrim i shpejtë.

15. Begatia e të pasurit është qyteti i tij i fortë; shkatërrimi i të varfrit është varfëria e tyre.

16. Puna e të drejtit i shërben jetës, fitimi i të pabesit mëkatit.

17. Kush ruan mësimet është në rrugën e jetës; por kush nuk pranon kritikën humb.

18. Kush e maskon urrejtjen ka buzë gënjeshtare dhe ai që përhap shpifje është budalla.

19. Në fjalët e shumta faji nuk mungon, por ai që i frenon buzët e tij është i urtë.

20. Gjuha e të drejtit është argjend i zgjedhur, por zemra e të pabesëve vlen pak.

21. Buzët e të drejtit ushqejnë mjaft njerëz, por budallenjtë vdesin sepse nuk kanë mend.

22. Bekimi i Zotit pasuron dhe ai nuk shton asnjë vuajtje.

23. Kryerja e një kobi për budallanë është si një zbavitje; kështu është dituria për njeriun që ka mend.

24. Të pabesit i ndodh ajo nga e cila trembet, por njerëzve të drejtë u jepet ajo që dëshirojnë.

25. Kur kalon furtuna, i pabesi nuk është më, por i drejti ka një themel të përjetshëm.

26. Ashtu si uthulla për dhëmbët dhe tymi për sytë, kështu është dembeli për ata që e dërgojnë.

27. Frika e Zotit i zgjat ditët, por vitet e të pabesit do të shkurtohen.

Lexoni kapitullin e plotë Fjalët e Urta 10