Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Fjalët e Urta 10:2-21 Bibla Shqip (ALBB)

2. Thesaret e padrejtësisë nuk japin dobi, por drejtësia të çliron nga vdekja.

3. Zoti nuk do të lejojë që i drejti të vuajë nga uria, por hedh poshtë dëshirën e të pabesëve.

4. Kush punon me dorë përtace varfërohet, por dora e njerëzve të zellshëm të bën të pasurohesh.

5. Ai që mbledh gjatë verës është një bir i matur, por ai që fle në kohën e korrjeve është një bir që të mbulon me turp.

6. Ka bekime mbi kokën e të drejtit, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.

7. Kujtimi i të drejtit është në bekim, por emri i të pabesit do të kalbet.

8. Zemërurti i pranon urdhërimet, por fjalamani budalla do të rrëzohet.

9. Ai që ecën në ndershmëri ecën i sigurt, por ai që ndjek rrugë dredharake ka për t'u zbuluar.

10. Kush e shkel syrin shkakton vuajtje, por fjalamani budalla do të rrëzohet.

11. Goja e të drejtit është një burim jete, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.

12. Urrejtja shkakton grindje, por dashuria mbulon të gjitha fajet.

13. Dituria gjendet mbi buzët e atyre që kanë mendje, por shkopi është për kurrizin e atyre që nuk kanë mend.

14. Të urtët grumbullojnë njohuri, por goja e budallait është një shkatërrim i shpejtë.

15. Begatia e të pasurit është qyteti i tij i fortë; shkatërrimi i të varfrit është varfëria e tyre.

16. Puna e të drejtit i shërben jetës, fitimi i të pabesit mëkatit.

17. Kush ruan mësimet është në rrugën e jetës; por kush nuk pranon kritikën humb.

18. Kush e maskon urrejtjen ka buzë gënjeshtare dhe ai që përhap shpifje është budalla.

19. Në fjalët e shumta faji nuk mungon, por ai që i frenon buzët e tij është i urtë.

20. Gjuha e të drejtit është argjend i zgjedhur, por zemra e të pabesëve vlen pak.

21. Buzët e të drejtit ushqejnë mjaft njerëz, por budallenjtë vdesin sepse nuk kanë mend.

Lexoni kapitullin e plotë Fjalët e Urta 10