Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 7:5-16 Bibla Shqip (ALBB)

5. Kështu thotë Zoti, Zoti: "Një gjëmë, një gjëmë e paparë, ja ku erdhi.

6. Fundi erdhi, fundi erdhi. U zgjua për ty; ja, erdhi.

7. Erdhi mbi ty shkatërrimi, o banor i vendit. Koha erdhi; është e afërt dita e halleve dhe jo ajo e britmave të gëzimit ndër male.

8. Tani, pas pak, do të derdh mbi ty tërbimin tim dhe do ta shfryj mbi ty zemërimin tim, do të të gjykoj sipas rrugëve të tua dhe do të të ngarkoj të gjitha veprimet e tua të neveritshme.

9. Syri im nuk do të të kursejë dhe nuk do të kem mëshirë, por do të bëj që të të bien mbi ty rrugët e tua dhe veprimet e tua të neveritshme do të jenë në mes teje; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti që godet.

10. Ja dita, ja ku arriti. Erdhi shkatërrimi. Thupra lulëzoi, kryelartësia buloi.

11. Dhuna është shtuar si një thupër pabesie. Nuk do të mbetet asnjë prej tyre, asnjë nga moria e tyre, asnjë prej tyre; nuk do të ketë asnjë vajtim për ta.

12. Koha erdhi, dita po afrohet. Kush blen të mos gëzohet, kush shet të mos hidhërohet, sepse një zemërim i zjarrtë kërcënon gjithë morinë e tyre.

13. Sepse ai që shet nuk do të zotërojë atë që ka shitur, edhe sikur të mbetet i gjallë, sepse vegimi përfshin tërë morinë e tyre dhe nuk do të hiqet, dhe askush nuk do të mund të ruajë jetën e vet, duke jetuar në paudhësi.

14. I kanë rënë borisë, dhe të gjithë janë gati, por asnjë nuk shkon në betejë, sepse afshi i zemërimit tim është kundër tërë morisë së tyre.

15. Nga jashtë shpata, nga brenda murtaja dhe uria. Kush është ndër ara do të vdesë nga shpata, kush është në qytet do të gllabërohet nga murtaja dhe nga uria.

16. Por ikanakët që do të arrijnë të shpëtojnë do të rrinë ndër male si pëllumbat e luginës, të gjithë duke rënkuar për shkak të paudhësisë së vet.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 7