Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 7:13-24 Bibla Shqip (ALBB)

13. Sepse ai që shet nuk do të zotërojë atë që ka shitur, edhe sikur të mbetet i gjallë, sepse vegimi përfshin tërë morinë e tyre dhe nuk do të hiqet, dhe askush nuk do të mund të ruajë jetën e vet, duke jetuar në paudhësi.

14. I kanë rënë borisë, dhe të gjithë janë gati, por asnjë nuk shkon në betejë, sepse afshi i zemërimit tim është kundër tërë morisë së tyre.

15. Nga jashtë shpata, nga brenda murtaja dhe uria. Kush është ndër ara do të vdesë nga shpata, kush është në qytet do të gllabërohet nga murtaja dhe nga uria.

16. Por ikanakët që do të arrijnë të shpëtojnë do të rrinë ndër male si pëllumbat e luginës, të gjithë duke rënkuar për shkak të paudhësisë së vet.

17. Të gjitha duart do të bëhen të dobëta dhe tërë gjunjët do të bëhen të dobët si uji.

18. Do të vishen me thasë dhe frika do t'i mbulojë, turpi do të jetë mbi të gjitha fytyrat dhe shogësia mbi tërë kokat e tyre.

19. Do të hedhin argjendin e tyre nëpër rrugë dhe ari i tyre do të bëhet një ndyrësi. Argjendi i tyre dhe ari i tyre nuk do të mund t'i shpëtojnë ditën e zemërimit të Zotit; nuk do të mund të ngopin shpirtin e tyre as të mbushin barkun e tyre, sepse paudhësia e tyre është bërë shkak pengese.

20. Kanë nxjerrë nga bukuria e stolive të tyre shkas kryelartësie; kanë përftuar figura nga neveritë e tyre dhe nga idhujt e tyre të urrejtshëm. Prandaj do t'i bëj ata një ndyrësi,

21. dhe do t'i lë pra në duart e të huajve dhe plaçkë për të pabesët e dheut që do t'i përdhosin.

22. Do të largoj prej tyre fytyrën time dhe ata do të përdhosin vendin tim sekret; do të hyjnë njerëz që përdorin dhunën dhe do ta përdhosin.

23. Përgatit një zinxhir, sepse vendi është plot me krime gjaku dhe qyteti është plot dhunë.

24. Do të sjell kombe të këqija që do të shtien në dorë shtëpitë e tyre; do ta ul kryelartësinë e të fuqishmëve dhe vendet e tyre të shenjta do të përdhosen.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 7