Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 46:18-24 Bibla Shqip (ALBB)

18. Përveç kësaj princi nuk do të marrë asgjë nga trashëgimia e popullit, duke e zhveshur nga pronësitë e tij; ai do t'u sigurojë një trashëgimi bijve të tij me atë që zotëron, me qëllim që asnjeri i popullit tim të mos dëbohet nga prona e tij".

19. Pastaj ai më çoi, nëpër hyrjen që ishte pranë portës, në dhomat e shenjta të caktuara për priftërinjtë, të cilat shikojnë nga veriu; dhe ja, në pjesën më të largët në drejtim të perëndimit kishte një vend.

20. Ai më tha: "Ky është vendi ku priftërinjtë do të pjekin mishin e flijimeve për shkeljen dhe për mëkatin dhe do të gatuajnë blatimet ushqimore, për të mos i nxjerrë në oborrin e jashtëm dhe kështu të shenjtërojnë popullin".

21. Pastaj më çoi në oborrin e jashtëm dhe më kaloi pranë katër qosheve të oborrit; dhe ja, në çdo qoshe të oborrit kishte një oborr tjetër.

22. Në të katër qoshet e oborrit kishte disa oborre të mbyllura të gjata dyzet kubitë dhe të gjera tridhjetë. Që të katra në qoshet e tyre kishin po atë madhësi.

23. Rreth e qark tyre kishte një mur dhe poshtë murit, rreth e rrotull tij, ishin vendosur vatra për të pjekur.

24. Ai më tha: "Këto janë kuzhinat ku ata që shërbejnë në tempull do të pjekin flijimet e popullit".

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 46