Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 46:13-23 Bibla Shqip (ALBB)

13. Çdo ditë do t'i ofrosh si holokaust Zotit një qengj motak, pa të meta; do ta ofrosh çdo mëngjes.

14. Çdo mëngjes do të ofrosh bashkë me të, si blatim i ushqimit, një të gjashtën e një efe dhe një të tretën e një hini vaji për të lagështuar majën e miellit; është një blatim ushqimor për Zotin që duhet bërë rregullisht çdo ditë përjetë.

15. Çdo mëngjes do të ofrojnë kështu qengjin, blatimin e ushqimit dhe vajin si holokaust të përditshëm".

16. Kështu thotë Zoti, Zoti: "Në qoftë se princi i bën njërit prej bijve të tij një dhuratë që është marrë nga trashëgimia e tij, ajo do t'u përkasë bijve të tij: do të jetë zotërimi i tyre në trashëgimi.

17. Por në qoftë se ai i bën njërit prej shërbëtorëve të tij një dhuratë që është marrë nga trashëgimia e tij, kjo do t'i përkasë atij deri vitin e lirisë; pastaj do t'i kthehet princit; trashëgimia e tij do t'u përkasë vetëm bijve të tij, vetëm atyre.

18. Përveç kësaj princi nuk do të marrë asgjë nga trashëgimia e popullit, duke e zhveshur nga pronësitë e tij; ai do t'u sigurojë një trashëgimi bijve të tij me atë që zotëron, me qëllim që asnjeri i popullit tim të mos dëbohet nga prona e tij".

19. Pastaj ai më çoi, nëpër hyrjen që ishte pranë portës, në dhomat e shenjta të caktuara për priftërinjtë, të cilat shikojnë nga veriu; dhe ja, në pjesën më të largët në drejtim të perëndimit kishte një vend.

20. Ai më tha: "Ky është vendi ku priftërinjtë do të pjekin mishin e flijimeve për shkeljen dhe për mëkatin dhe do të gatuajnë blatimet ushqimore, për të mos i nxjerrë në oborrin e jashtëm dhe kështu të shenjtërojnë popullin".

21. Pastaj më çoi në oborrin e jashtëm dhe më kaloi pranë katër qosheve të oborrit; dhe ja, në çdo qoshe të oborrit kishte një oborr tjetër.

22. Në të katër qoshet e oborrit kishte disa oborre të mbyllura të gjata dyzet kubitë dhe të gjera tridhjetë. Që të katra në qoshet e tyre kishin po atë madhësi.

23. Rreth e qark tyre kishte një mur dhe poshtë murit, rreth e rrotull tij, ishin vendosur vatra për të pjekur.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 46