Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 45:13-24 Bibla Shqip (ALBB)

13. Kjo është oferta që do të merrni: një të gjashtën e një efe nga një homer gruri, dhe një të gjashtën e një efe nga një homer elbi.

14. Kjo është norma e vajit (domethënë bato e vajit), dhe një e dhjeta e batos nga çdo kor; një kor është një homer ose dhjetë bate, sepse dhjetë bate bëjnë një homer.

15. Nga kopeja do të merret një dele për çdo dyqind krerë nga kullotat e të pasura të Izraelit, dhe kjo do të shërbejë për blatime të ushqimit, për holokaustet dhe për flijimet e falënderimit për të bërë shlyerjen për ato", thotë Zoti, Zoti.

16. "Tërë populli i vendit do të jetë i detyruar ta bëjë këtë ofertë për princin e Izraelit.

17. Përkundrazi do të jetë detyrë e princit të sigurojë holokaustet, blatimet e ushqimit dhe libacionet për festat, për hënat e reja, për të shtunat dhe për të gjitha solemnitetet e shtëpisë së Izraelit; ai do të sigurojë flijimin për mëkatin, blatimin e ushqimit, holokaustin dhe flijimet e falënderimit për të bërë shlyerjen për shtëpinë e Izraelit".

18. Kështu thotë Zoti, Zoti: "Muajin e parë, ditën e parë të muajit, do të marrësh një dem të ri pa të meta dhe do të pastrosh shenjtëroren.

19. Prifti do të marrë pak gjak nga flijimi për mëkatin dhe do ta vërë mbi shtalkat e portës së shtëpisë, mbi katër qoshet e platformave të altarit dhe mbi shtalkat e portës së oborrit të brendshëm.

20. Do të veprosh në të njëjtën mënyrë ditën e shtatë të muajit për atë që ka mëkatuar për nga mosdija dhe për naivin; kështu do të kryeni shlyerjen për tempullin.

21. Muajin e parë, ditën e katërmbëdhjetë të muajit për ju do të jetë Pashkë, një festë shtatëditëshe; do të hahet bukë pa maja.

22. Atë ditë princi do të ofrojë, për vete dhe për tërë popullin e vendit, një dem si flijim për mëkatin.

23. Në shtatë ditët e festës do t'i ofrojë si holokaust Zotit shtatë dema dhe shtatë desh pa të meta, çdo ditë për shtatë ditë me radhë, dhe një kec në ditë si flijim për mëkatin.

24. Do të ofrojë gjithashtu një efa blatim ushqimor për çdo dem dhe një efa çdo dash, bashkë me një hin vaji për çdo efa.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 45