Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 45:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Kur ta ndani me short vendin në trashëgimi, ju do të vini mënjanë, si ofertë për Zotin, një pjesë të shenjtë të vendit, të gjatë njëzet e pesë mijë kubitë dhe të gjerë dhjetë mijë; do të jetë e shenjtë në të gjithë shtrirjen e saj.

2. Nga ajo do të merrni për shenjtëroren një katror me përmasa pesëqind herë pesëqind kubitë, me një hapësirë të lirë rreth e qark prej pesëdhjetë kubitësh.

3. Në këtë shtrirje do të matësh një sipërfaqe me një gjatësi prej njëzet e pesë mijë kubitë dhe një gjerësi prej dhjetë mijë kubitë; brenda asaj do të jetë shenjtërorja, vendi shumë i shenjtë.

4. Do të jetë pjesa e shenjtë e vendit e caktuar për priftërinjtë, ministrat e shenjtërores, që i afrohen Zotit për t'i shërbyer; do të jetë një vend për shtëpitë e tyre dhe një vend i shenjtë për shenjtëroren.

5. Një sipërfaqe e gjatë njëzet e pesë mijë kubitë dhe e gjerë dhjetë mijë kubitë do t'u përkasë levitëve që kryejnë shërbime në tempull; ata do të kenë pronësinë e njëzet dhomave.

6. Si pronë të qytetit do të caktoni një sipërfaqe prej pesë mijë kubitësh të gjerë dhe njëzet e pesë mijë kubitësh të gjatë përbri pjesës së caktuar për shenjtërore; ajo do t'i përkasë tërë shtëpisë së Izraelit".

7. Princit përkundrazi do t'i jepet një sipërfaqe këtej dhe matanë pjesës së shenjtë dhe pronës së qytetit, përballë pjesës së shenjtë të ofruar dhe përballë pronës së qytetit, që shtrihet nga ana e perëndimit drejt perëndimit dhe nga ana lindore drejt lindjes, me një gjatësi të barabartë me njërën pjesë që u është dhënë fiseve, nga kufiri perëndimor në kufirin lindor.

8. Kjo pjesë e vendit do të jetë pronë e tij në Izrael; princat e mi nuk do ta shtypin më popullin tim, por do t'i japin kusurin e vendit shtëpisë së Izraelit sipas fiseve të tij".

9. Kështu thotë Zoti, Zoti: "Mjaft më, o princa të Izraelit! Lini mënjanë dhunën dhe grabitjet, zbatoni ndershmërinë dhe drejtësinë, hiqni dorë nga të zhveshurit e popullit tim", thotë Zoti, Zoti.

10. "Kini peshore të sakta, efa të saktë dhe bato të saktë.

11. Efa dhe batoja do të kenë po atë kapacitet, dhe kështu batoja do të ketë të dhjetën pjesë të një homeri dhe efa të dhjetën pjesë të një homeri; kapaciteti i tyre do të rregullohet nga homeri.

12. Sikli do të jetë njëzet gere; njëzet sikla, njëzet e pesë sikla dhe pesëmbëdhjetë sikla do të jenë mina juaj.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 45