Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 44:12-31 Bibla Shqip (ALBB)

12. Duke qenë se i kanë shërbyer përpara idhujve të tij dhe kanë bërë që shtëpia e Izraelit të bjerë në mëkat, unë ngrita dorën time kundër tyre", thotë Zoti, Zoti, "duke u betuar se do të ndëshkohen për mëkatin e tyre.

13. Dhe nuk do të më afrohen më për të më shërbyer si priftërinj as do t'u afrohen asnjërës prej gjërave të mia të shenjta, gjërave që janë shumë të shenjta; por do të mbajnë turpin e tyre dhe ndëshkimin për veprimet e neveritshme që kanë kryer.

14. Megjithatë unë do t'u besoj atyre ruajtjen e tempullit për çdo shërbim të tij dhe për çdo gjë që do të bëhet në të.

15. Por priftërinjtë levitë, bij të Tsadokut, që kanë treguar kujdes për shenjtëroren time kur bijtë e Izraelit u shmangën nga unë, do të më afrohen për të më shërbyer dhe do të qëndrojnë para meje për të më ofruar dhjamin dhe gjakun", thotë Zoti, Zoti.

16. "Ata do të hyjnë në shenjtëroren time, do t'i afrohen tryezës sime që të më shërbejnë dhe do të kryejnë gjithë shërbimin tim.

17. Kur të hyjnë nëpër portat e oborrit të brendshëm, do të veshin rroba prej liri; nuk do të kenë në trup asnjë veshje prej leshi, kur të kryejnë shërbime në portat e oborrit të brendshëm dhe në tempull.

18. Do të kenë në krye çallma prej liri dhe pantallona prej liri mbi ijët; nuk do të ngjishen me atë që të bën të djersitesh.

19. Por, kur do të dalin në oborrin e jashtëm, në oborrin e jashtëm në drejtim me popullin, do të heqin rrobat me të cilat kanë kryer shërbimin, do t'i depozitojnë në dhomat e shenjtërores dhe do të veshin rroba të tjera për të mos shenjtëruar popullin me veshjet e tyre.

20. Nuk do ta rruajnë kokën dhe as nuk kanë për të lënë t'u rriten flokët, por do t'i presin rregullisht flokët.

21. Asnjë prift nuk do të pijë verë, kur të hyjë në oborrin e brendshëm.

22. Nuk do të martohen me një të venë, as me grua të ndarë nga burri, por do të marrin virgjëresha nga pasardhësit e shtëpisë së Izraelit, ose një të ve që të jetë e veja e një prifti.

23. Do t'i mësojnë popullit tim të dallojë atë që është e shenjtë nga ajo që është profane dhe do t'i bëjnë të njohur ndryshimin midis asaj që është e papastër dhe asaj që është e pastër.

24. Në mosmarrëveshje ata do të veprojnë si gjyqtarë; do të gjykojnë sipas dekreteve të mia, do të zbatojnë ligjet e mia dhe statutet e mia në të gjitha festat e mia dhe do të shenjtërojnë të shtunat e mia.

25. Nuk do t'i afrohen një të vdekuri për të mos u ndotur; ata do të mund të ndoten vetëm për atin ose nënën, për birin ose bijën, për vëllanë ose për motrën e pamartuar.

26. Mbas pastrimit të tij për të do të numërohen shtatë ditë.

27. Ditën që do të hyjnë në vendin e shenjtë, në oborrin e brendshëm, për të kryer shërbimin në vendin e shenjtë, do të ofrojnë flijimin për mëkatin", thotë Zoti, Zoti.

28. "Sa për trashëgiminë e tyre, do të jem unë trashëgimia e tyre; nuk do t'u jepni atyre asnjë zotërim në Izrael, sepse jam unë zotërimi i tyre.

29. Ata do të ushqehen me blatimet e ushqimit, me flijimet për mëkatin dhe me flijimet për shkeljen; çdo gjë e destinuar Perëndisë në Izrael do të jetë e tyre.

30. Pjesa më e mirë e të gjitha prodhimeve të hershme dhe të gjitha ofertat e larta të çdo lloji midis ofertave tuaja të larta do t'u përkasin priftërinjve; do t'i jepni priftit edhe prodhimin e parë të brumit në mënyrë që bekimi të mbetet në shtëpinë tuaj.

31. Priftërinjtë nuk do të hanë mishin e asnjë zogu ose kafshe të ngordhur në mënyrë të natyrshme ose të shqyer".

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 44