Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 44:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pastaj ai më çoi drejt portës së jashtme të shenjtërores që shikonte nga lindja, por ajo ishte e mbyllur.

2. Zoti më tha: "Kjo portë do të mbetet e mbyllur, nuk do të hapet dhe askush nuk do të hyjë nëpër të, sepse nëpër të ka hyrë Zoti, Perëndia i Izraelit; prandaj do të mbetet e mbyllur.

3. Por princi duke qenë se është princ, do të mund të ulet për të ngrënë bukën përpara Zotit; ai do të hyjë nga hajati i derës dhe do të dalë po nga ajo rrugë".

4. Pastaj, nëpër portën në veri, më çoi përpara tempullit. Shikova, dhe ja, lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e Zotit; dhe unë rashë me fytyrë.

5. Zoti më tha: "Bir njeriu, ki kujdes, shiko me sytë e tu dhe dëgjo me veshët e tu të gjitha ato që do të të them për statutet e shtëpisë të Zotit dhe tërë ligjeve të tij; ki kujdes në hyrjen e tempullit dhe në të gjitha daljet e shenjtërores.

6. Do t'u thuash këtyre rebelëve, shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: O shtëpi e Izraelit, mjaft më me veprimet tuaja të neveritshme!

7. Keni bërë që të futen të huaj, të parrethprerë nga zemra dhe nga mishi, me qëllim që të rrinin në shenjtëroren time, për ta përdhosur tempullin tim, ndërsa ofronit bukën time, dhjamin dhe gjakun, duke shkelur kështu besëlidhjen time me ju, me të gjitha veprimet tuaja të neveritshme.

8. Ju nuk jeni kujdesur për gjërat e mia të shenjta, por keni vënë të huaj në vendin tuaj që të kujdesen për shenjtëroren time.

9. Kështu thotë Zoti, Zoti: "Asnjë i huaj, i parrethprerë nga zemra dhe parrethprerë nga mishi, nuk ka për të hyrë në shenjtëroren time, as edhe ndonjë i huaj që ndodhet në mes të bijve të Izraelit.

10. Por levitët, që u larguan nga unë kur Izraeli doli nga rruga e drejtë, dhe u shmangën nga unë për të shkuar pas idhujve të tyre, do të ndëshkohen për paudhësinë e tyre.

11. Megjithatë ata do të shërbejnë si roje të portave të tempullit dhe do të kryejnë shërbime në tempull; do të therin holokaustet dhe flijimet për popullin dhe do të rrinë para tij për t'i shërbyer.

12. Duke qenë se i kanë shërbyer përpara idhujve të tij dhe kanë bërë që shtëpia e Izraelit të bjerë në mëkat, unë ngrita dorën time kundër tyre", thotë Zoti, Zoti, "duke u betuar se do të ndëshkohen për mëkatin e tyre.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 44