Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 43:10-21 Bibla Shqip (ALBB)

10. Ti, bir njeriu, përshkruaja tempullin shtëpisë së Izraelit, që të kenë turp për paudhësinë e tyre. Le të masin përmasat e tij,

11. dhe, në se kanë turp për të gjitha ato që kanë bërë, ti u bëj të njohur atyre modelin e tempullit dhe vendosjen e tij, daljet e tij dhe hyrjet e tij, gjithë modelin e tij dhe të gjithë statutet e tij, gjithë format e tij dhe të gjitha ligjet e tij; vëri të shkruara para syve të tyre me qëllim që të shikojnë tërë modelin e tij, tërë statutet e tij dhe t'i zbatojnë në praktikë.

12. Ky është ligji i tempullit. Gjithë territori që është rreth majës së malit do të jetë shumë i shenjtë. Ja, ky është ligji i tempullit.

13. Këto janë përmasat e altarit në kubitë (kubiti është një kubit plus një pëllëmbë): baza ka një kubit lartësi dhe një kubit largësi, me një buzë prej një pëllëmbë në gjithë gjatësinë. Kjo është lartësia e altarit;

14. nga baza në tokë deri në platformën e poshtme ka dy kubitë; platforma është një kubit e gjerë; nga platforma më e vogël deri në platformën më të madhe ka katër kubitë; platforma është një kubit e gjerë.

15. Vatra e altarit është katër kubitë e lartë, dhe nga vatra e altarit ngrihen katër brirë.

16. Vatra e altarit është e gjatë dymbëdhjetë kubitë dhe e gjerë dymbëdhjetë kubitë, domethënë një katror i përsosur.

17. Platforma e sipërme në të katër anët e saj është e gjatë katërmbëdhjetë kubitë dhe po aq e gjerë, me një buzë rreth e qark prej gjysmë kubiti; shkallaret e veta shikojnë nga lindja".

18. Pastaj më tha: "Bir njeriu, kështu thotë Zoti, Zoti: Këto janë statutet për altarin kur të ndërtohet për të ofruar holokaustet dhe për ta spërkatur sipër me gjak.

19. Priftërinjtë levitë që vijnë nga fisi i Tsadokut, të cilët më afrohen për të më shërbyer", thotë Zoti, Zoti, "ti do t'u japësh një dem të ri për flijimin e mëkatit.

20. Do të marrësh pak gjak prej tij dhe do ta vësh mbi katër brirët e altarit, mbi katër qoshet e platformës dhe rreth e qark buzës; kështu do ta pastrosh dhe do të kryesh shlyerjen për të.

21. Pastaj do të marrësh demin e ri të flijimit të mëkatit dhe do ta djegësh në një vend të caktuar të tempullit, jashtë shenjtërores.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 43