Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 43:1-17 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pastaj më çoi te porta, te porta që shikon nga lindja.

2. Dhe ja, lavdia e Perëndisë të Izraelit vinte nga lindja. Zëri i tij ishte si zhurma e shumë ujërave dhe toka shkëlqente nga lavdia e tij.

3. Vegimi që pashë në dukje ishte i ngjashëm me vegimin që pata kur shkova për të shkatërruar qytetin, vegimi ishte i ngjashëm me vegimet që pata pranë lumit Kebar; unë rashë me fytyrë.

4. Dhe lavdia e Zotit hyri në tempull nga porta që shikon nga lindja.

5. Pastaj Fryma më ngriti lart dhe më çoi në oborrin e brendshëm; dhe ja, lavdia e Zotit mbushte tempullin.

6. Atëherë dëgjova dikë që më fliste nga tempulli, ndërsa një burrë rrinte më këmbë pranë meje;

7. dhe ai më tha: "Bir njeriu, ky është vendi i fronit tim dhe vendi ku vë këmbët e mia, ku do të banoj në mes të bijve të Izraelit përjetë. Dhe shtëpia e Izraelit nuk do ta ndotë më emrin tim të shenjtë,

8. duke vënë pragun e tyre afër pragut tim dhe shtalkat e tyre afër shtalkave të mia duke pasur vetëm një ndarëse midis meje dhe atyre, duke e ndotur kështu emrin tim të shenjtë me veprimet e neveritshme që kryenin; prandaj në zemërimin tim i shkatërrova.

9. Tani do të largojnë nga unë kurvërimet e tyre dhe kufomat e mbretërve të tyre, dhe unë do të banoj në mes të tyre përjetë.

10. Ti, bir njeriu, përshkruaja tempullin shtëpisë së Izraelit, që të kenë turp për paudhësinë e tyre. Le të masin përmasat e tij,

11. dhe, në se kanë turp për të gjitha ato që kanë bërë, ti u bëj të njohur atyre modelin e tempullit dhe vendosjen e tij, daljet e tij dhe hyrjet e tij, gjithë modelin e tij dhe të gjithë statutet e tij, gjithë format e tij dhe të gjitha ligjet e tij; vëri të shkruara para syve të tyre me qëllim që të shikojnë tërë modelin e tij, tërë statutet e tij dhe t'i zbatojnë në praktikë.

12. Ky është ligji i tempullit. Gjithë territori që është rreth majës së malit do të jetë shumë i shenjtë. Ja, ky është ligji i tempullit.

13. Këto janë përmasat e altarit në kubitë (kubiti është një kubit plus një pëllëmbë): baza ka një kubit lartësi dhe një kubit largësi, me një buzë prej një pëllëmbë në gjithë gjatësinë. Kjo është lartësia e altarit;

14. nga baza në tokë deri në platformën e poshtme ka dy kubitë; platforma është një kubit e gjerë; nga platforma më e vogël deri në platformën më të madhe ka katër kubitë; platforma është një kubit e gjerë.

15. Vatra e altarit është katër kubitë e lartë, dhe nga vatra e altarit ngrihen katër brirë.

16. Vatra e altarit është e gjatë dymbëdhjetë kubitë dhe e gjerë dymbëdhjetë kubitë, domethënë një katror i përsosur.

17. Platforma e sipërme në të katër anët e saj është e gjatë katërmbëdhjetë kubitë dhe po aq e gjerë, me një buzë rreth e qark prej gjysmë kubiti; shkallaret e veta shikojnë nga lindja".

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 43