Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 41:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pastaj më çoi në shenjtërore dhe mati shtyllat; gjashtë kubitë gjerësi nga një anë dhe gjashtë kubitë gjerësi nga ana tjetër, ashtu siç ishte gjerësia e tabernakullit.

2. Gjerësia e hyrjes ishte dhjetë kubitë dhe muret anësore të hyrjes pesë kubitë nga një anë dhe pesë kubitë nga ana tjetër. Mati gjatësinë e shenjtërores: dyzet kubitë, dhe gjerësinë e tij njëzet kubitë.

3. Pastaj hyri brenda dhe mati mbajtëset e portës: dy kubitë; porta ishte gjashtë kubitë dhe gjerësia e saj shtatë kubitë.

4. Mati gjatësinë e saj: njëzet kubitë, dhe gjerësinë e saj përpara shenjtërores, njëzet kubitë; pastaj më tha: "Ky është vend shumë i shenjtë".

5. Pastaj mati murin e tempullit: gjashtë kubitë; ndërsa gjerësia e çdo dhome anësore rreth e rrotull tempullit ishte katër kubitë.

6. Dhomat anësore ishin me tre kate, njëra mbi tjetrën, tridhjetë dhoma për kat; ato mbështeteshin mbi disa dalje të murit të tempullit, të bëra rreth e qark për dhomat anësore; kështu ishin ngjitur por nuk mbështeteshin mbi murin e tempullit.

7. Madhësia e dhomave anësore rritej dora dorës që kalohej nga një kat në tjetrin, sepse daljet e strukturës së murit të tempullit vinin si shkallare rreth e qark tempullit; prandaj madhësia e strukturës së tempullit rritej dora dorës që ngjiteshe nga kati i poshtëm në të lartin dhe duke kaluar nëpër atë të mesit.

8. Pashë gjithashtu rreth tempullit një lartësim; themelet e dhomave anësore ishin sa një kallam i tërë prej gjashtë kubitësh.

9. Gjerësia e murit të jashtëm të dhomave anësore ishte pesë kubitë; hapësira e lënë e lirë ndërmjet dhomave anësore që i përkisnin tempullit

10. dhe dhomat e jashtme ishte njëzet kubitë rreth e qark tempullit.

11. Portat e dhomave anësore shikonin nga hapësira e lirë: një portë nga veriu dhe tjetra nga jugu; gjerësia e hapësirës së lirë ishte pesë kubitë rreth e qark.

12. Ndërtimi që ndodhej përballë hapësirës boshe nga ana e perëndimit kishte një gjerësi prej gjashtëdhjetë kubitësh; muri i ndërtimit ishte i trashë pesë kubitë rreth e qark dhe i gjatë nëntëdhjetë kubitë.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 41