Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 39:1-15 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Ti, bir njeriu, profetizo kundër Gogut dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o princ i Roshit, i Meshekut dhe i Tubalit.

2. Unë do të të bëj të kthehesh prapa, do të të josh, do të të bëj të ngjitesh në pjesët e skajshme të veriut dhe do të të çoj në malet e Izraelit.

3. Do ta shkund harkun nga dora jote e majtë dhe do të bëj që të të bien shigjetat nga dora e djathtë.

4. Do të rrëzohesh mbi malet e Izraelit, ti me gjithë ushtrinë tënde dhe me popujt që janë me ty; do të bëj që të të hanë shpendët grabitqarë, shpendët e çfarëdo lloji dhe kafshët e fushës.

5. Do të rrëzohesh në fushë të hapur, sepse unë fola", thotë Zoti, Zoti.

6. "Dhe do të dërgoj zjarr mbi Magogun dhe mbi ata që jetojnë të sigurt në ishuj, dhe do të pranojnë që unë jam Zoti.

7. Kështu do ta bëj të njohur emrin tim të shenjtë në mes të popullit tim të Izraelit dhe nuk do të lejoj më të përdhoset emri im i shenjtë, dhe kombet do të pranojnë që unë jam Zoti, i Shenjti në Izrael.

8. Ja, kjo do të ndodhë dhe do të kryhet", thotë Zoti, Zoti; "kjo është dita për të cilën kam folur.

9. Atëherë banorët e qyteteve të Izraelit do të dalin, do t'i vënë zjarrin dhe do të djegin armët, mburojat e mëdha dhe të vogla, topuzët dhe ushtat dhe me to do të bëjnë zjarr shtatë vjet.

10. Nuk do t'u duhet të marrin dru në fushë dhe as të presin në pyll, sepse do të bëjnë zjarr me ato armë; kështu do të zhveshin ata që i zhvishnin dhe do të plaçkitin ata që i plaçkitnin", thotë Zoti, Zoti.

11. "Atë ditë do të ndodhë që do t'i jap Gogut, atje në Izrael një vend për varrim, luginën e Abarimit, në lindje të detit; ai do t'u zërë kalimin shtegtarëve, sepse aty do të varroset Gogu me gjithë turmën e tij; dhe ai vend do të quhet Lugina e Hamon-Gogut.

12. Shtëpia e Izraelit, për të pastruar vendin, do të përdorë shtatë muaj të plota për t'i varrosur.

13. Do t'i varrosë gjithë populli i vendit, dhe ata do të fitojnë nam ditën në të cilën unë do të përlëvdohem", thotë Zoti, Zoti.

14. "Do të zgjedhin disa burra që do të përshkojnë pa pushim vendin për të varrosur, me ndihmën e shtegtarëve, trupat e atyre që kanë mbetur mbi faqen e dheut, për ta pastruar; kur të kalojnë shtatë muajt do të bëjnë këtë kërkim.

15. Kushdo që do të përshkojë vendin, kur të shohë një kockë njeriu, do t'i vërë afër një shenjë treguese derisa varrmihësit nuk do ta varrosin në Luginën e Hamon-Gogut.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 39