Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 38:13-21 Bibla Shqip (ALBB)

13. Sheba, Dedani, tregtarët e Tarshishit dhe tërë luanët e vegjël do të pyesin: "Ke ardhur për të plaçkitur? Ke mbledhur turmën tënde për të bërë plaçkë, për të marrë argjendin dhe arin, për të marrë kafshët dhe pasuritë, për të bërë një plaçkë të madhe?".

14. Prandaj, bir njeriu, profetizo dhe i thuaj Gogut: Kështu thotë Zoti, Zoti: Atë ditë, kur populli im i Izraelit do të jetë i sigurt, a nuk do ta dish ti?

15. Do të vish nga banesa jote, nga skajet e veriut, ti dhe shumë popuj me ty, të gjithë të hipur mbi kuaj, një turmë e madhe dhe një ushtri e fuqishme.

16. Do të dalësh kundër popullit tim të Izraelit, si një re që mbulon vendin. Kjo ka për të ndodhur ditët e fundit: do të të çoj kundër vendit tim me qëllim që kombet të më njohin, kur të shenjtërohem te ti përpara syve të tyre, o Gog".

17. Kështu thotë Zoti, Zoti: "A nuk je ti ai për të cilin fola në kohët e lashta me anë të shërbëtorëve të mi, profetët e Izraelit, të cilët për vite me radhë profetizuan ato ditë që do të të kisha sjellë kundër tyre?

18. Por do të ndodhë që po atë ditë, ditën kur Gogu do të vijë kundër tokës së Izraelit", thotë Zoti, Zoti, "që tërbimi im do të më hipë në vrimat e hundës.

19. Në xhelozinë time dhe në zjarrin e zemërimit tim, unë deklaroj se atë ditë do të ketë një tronditje të madhe në vendin e Izraelit:

20. përpara meje do të dridhen peshqit e detit, shpendët e qiellit, kafshët e fushës, të gjithë rrëshqanorët që zvarriten mbi tokë dhe të gjithë njerëzit që janë mbi faqen e dheut; malet do të shemben, vendet e rrëpirëta do të rrëzohen dhe të gjitha muret do të bien për tokë.

21. Unë do të thërras kundër tij shpatën mbi të gjitha malet e mia", thotë Zoti, Zoti; shpata e secilit do të drejtohet kundër vëllait të vet.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 38