Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 37:12-26 Bibla Shqip (ALBB)

12. Prandaj profetizo dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të hap varret tuaja, do t'ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im, do t'ju çoj përsëri në vendin e Izraelit.

13. Do të pranoni që unë jam Zoti, kur të hap varret tuaja dhe t'ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im.

14. Do të shtie te ju Frymën tim dhe ju do të jetoni, dhe do t'ju çoj në tokën tuaj; atëherë do të pranoni që unë, Zoti, fola dhe e kam kryer këtë gjë", thotë Zoti.

15. Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë:

16. "Ti, bir njeriu, merr një copë dru dhe mbi të shkruaj: "Për Judën dhe për bijtë e Izraelit, shokë të tij". Pastaj merr një copë tjetër dru dhe shkruaj mbi të: "Për Jozefin, bastun i Efraimit dhe i tërë shtëpisë së Izraelit, shokë të tij".

17. Afroi pastaj njeri te tjetri në një dru të vetëm, me qëllim që të bëhen një gjë e vetme në dorën tënde.

18. Kur bijtë e popullit tënd do të të flasin, duke thënë: "A do të na shpjegosh ç'kuptim kanë këto gjëra për ty?",

19. ti do t'u thuash atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të marr drurin e Jozefit, që është në dorë të Efraimit, dhe fiset e Izraelit që janë shokë të tij, dhe do t'i bashkoj me këtë, domethënë me drurin e Judës, për ta bërë një dru të vetëm; kështu ata do të bëhen një gjë e vetme në dorën time.

20. Mbaj në dorën tënde para syve të tyre drurët mbi të cilët ke shkruar,

21. dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të marr bijtë e Izraelit nga kombet ndër të cilët kanë vajtuar, do t'i mbledh nga çdo anë dhe do t'i çoj përsëri në vendin e tyre,

22. dhe do të bëj një komb të vetëm prej tyre në vend, në malet e Izraelit; një mbret i vetëm do të mbretërojë mbi të gjithë ata; nuk do të jenë më dy kombe, as do të ndahen më në dy mbretëri.

23. Nuk do të ndoten më me idhujt e tyre, me veprimet e tyre të neveritshme dhe me gjithë shkeljet e tyre; do t'i çliroj nga të gjitha vendet ku kanë banuar dhe ku kanë kryer mëkate, dhe do t'i pastroj; kështu do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre.

24. Shërbëtori im David do të jetë mbret mbi ta dhe do të ketë një bari të vetëm për të gjithë; ata do të ecin sipas dekreteve të mia, do të respektojnë statutet e mia dhe do t'i zbatojnë në praktikë.

25. Dhe do të banojnë në vendin që i dhashë shërbëtorit tim Jakob, atje ku banuan etërit tuaj. Do të banojnë aty ata, bijtë e tyre dhe bijtë e bijve të tyre për jetë dhe shërbëtori im David do të jetë princi i tyre përjetë.

26. Do të lidh me ta një besëlidhje paqeje; do të jetë një besëlidhje e përjetshme me ta; do t'i bëj të qëndrueshëm, do t'i shumoj dhe do të vë shenjtëroren time në mes tyre përjetë.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 37