Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 36:24-37 Bibla Shqip (ALBB)

24. Do t'ju marr nga kombet, do t'ju grumbulloj nga tërë vendet dhe do t'ju çoj përsëri në vendin tuaj.

25. Do të lëshoj pastaj ujë të pastër mbi ju dhe do të jeni të pastër; do t'ju pastroj nga të gjitha ndyrësitë tuaja dhe nga të gjithë idhujt tuaj.

26. Do t'ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t'ju jap zemër prej mishi.

27. Do të vë brenda jush Shpirtin tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni në praktikë dekretet e mia.

28. Do të banoni në vendin që u dhashë etërve tuaj; ju do të jeni populli im dhe unë do të jem Perëndia juaj.

29. Do t'ju çliroj nga të gjitha ndyrësitë tuaja; do të thërres grurin, do të bëj që të ketë me bollëk dhe nuk do dërgoj më urinë kundër jush.

30. Do të shumoj frytin e drurëve dhe prodhimin e arave, me qëllim që të mos pësoni më turpin e urisë midis kombeve.

31. Atëherë do të kujtoni rrugët tuaja të këqija dhe veprimet tuaja që nuk ishin të mira dhe do të bëheni të neveritshëm për vetë sytë tuaj, për paudhësitë tuaja dhe për veprimet tuaja të neveritshme.

32. Nuk është për hatrin tuaj që unë veproj", thotë Zoti, Zoti, "dijeni mirë këtë. Turp të keni dhe qofshi të hutuar për shkak të rrugëve tuaja, o shtëpi e Izraelit".

33. Kështu thotë Zoti Zoti: "Ditën kur unë do t'ju pastroj nga të gjitha paudhësitë tuaja, do t'ju bëj të banoni në qytete, dhe gërmadhat do të rindërtohen.

34. Toka e shkretuar do të punohet, në vend që të jetë një shkreti në sytë e të gjithë kalimtarëve.

35. Dhe do të thonë: "Kjo tokë që ishte e shkretuar është bërë si kopshti i Edenit, dhe qytetet e shkatërruara, të shkretuara dhe të rrënuara tani janë të fortifikuara dhe të banuara".

36. Atëherë kombet që do të kenë mbetur rreth e qark jush do të pranojnë që unë, Zoti, kam rindërtuar vendet e shkatërruara dhe kam mbjellë tokën që ishte shkretuar. Unë, Zoti fola dhe do ta kryej".

37. Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do të jem sërish i lutur nga shtëpia e Izraelit ta kryej këtë për ta: Unë do t'i shumoj njerëzit e tyre si një kope.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 36