Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 34:1-17 Bibla Shqip (ALBB)

1. Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë:

2. "Bir njeriu, profetizo kundër barinjve të Izraelit; profetizo dhe u thuaj atyre barinjve: Kështu thotë Zoti, Zoti: Mjerë barinjtë e Izraelit që kullotin veten e tyre! A nuk duhet përkundrazi të kullosin kopenë?

3. Ju hani yndyrën, visheni me leshin, vritni delet e majme, por nuk e kullotni kopenë.

4. Nuk i keni forcuar delet e dobëta, nuk jeni kujdesur për të sëmurën, nuk keni fashuar atë të plagosurën, nuk e keni rikthyer në shtëpi të hutuarën dhe nuk e keni kërkuar të humburën, por keni sunduar mbi to me forcë dhe ashpërsi.

5. Kështu ato, për mungesë bariu, janë shpërndarë, janë bërë pre e të gjitha bishave të fushës dhe kanë humbur.

6. Delet e mia po enden nëpër tërë malet dhe mbi çdo kodrinë të lartë; po, delet e mija janë përhapur mbi gjithë faqen e vendit dhe askush nuk ka shkuar t'i kërkojë ato as nuk tregoi kujdes".

7. Prandaj, o barinj, dëgjoni fjalën e Zotit:

8. Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "duke qenë se delet e mija janë bërë një pre, delet e mia i hanë të gjitha bishat e fushave për mungesë të një bariu dhe sepse barinjtë e mi nuk kanë vajtur ti kërkojnë delet e mia, por barinjtë kanë kullotur për veten e tyre dhe nuk kanë kullotur delet e mia".

9. Prandaj, o barinj, dëgjoni fjalën e Zotit:

10. Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë jam kundër barinjve; do t'u kërkoj llogari për delet e mia dhe nuk do t'i lë t'i kullotin delet. Barinjtë nuk do të kullotin më veten e tyre, sepse do t'u heq nga goja e tyre delet e mia dhe nuk do të jenë më ushqimi i tyre.

11. Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë vetë do të shkoj të kërkoj delet e mia dhe do të kujdesem.

12. Ashtu si bariu kujdeset për kopenë e tij kur ndodhet në mes të deleve të tij, të shpërndara, kështu unë do të kujdesem për delet e mia dhe do t'i heq nga të gjitha vendet ku janë shpërndarë në një ditë me re dhe errësirë të dendur.

13. Do t'i nxjerr nga popujt dhe do t'i mbledh nga vende të ndryshme; do t'i çoj përsëri në tokën e tyre dhe do t'i kullot në malet e Izraelit, gjatë rrjedhave ujore dhe në tërë vendet e banuara të vendit.

14. Do t'i kullot në kullota të mira dhe vatha e tyre do të jetë në malet e larta të Izraelit; atje do të pushojnë në një vathë dhe do të kullotin në kullota të pasura në malet e Izraelit.

15. "Unë vetë do t'i kullot delet e mia dhe do t'i bëj të pushojnë", thotë Zoti, Zoti.

16. "Unë do të kërkoj të humburën, do ta kthej të hutuarën, do t'i lidh plagën, do ta forcoj të sëmurën, por do të shkatërroj të majmen dhe të fortën; do t'i kullot me drejtësi.

17. Sa për ju, o delet e mia", kështu thotë Zoti, Zoti, "ja, unë do të gjykoj midis delesh e delesh, midis deshve dhe cjepve.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 34