Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 32:18-32 Bibla Shqip (ALBB)

18. "Bir njeriu, merrja një vajtimi për turmën e Egjiptit dhe zbrite në thellësinë e tokës, atë dhe bijat e kombeve të famshëm, që bashkë me ata zbresin në gropë.

19. Vallë kujt ia kalon nga bukuria? Zbrit dhe zër vend midis atyre që nuk janë rrethprerë.

20. Ata do të bien në mes të atyre që janë vrarë nga shpata. Ai i është dorëzuar shpatës; e tërheqin me gjithë turmat e tij.

21. Trimat më të fortë, bashkë me ata që e ndihmonin, do t'i flasin në mes të Sheolit: "Kanë zbritur dhe kanë zënë vend bashkë me ata që nuk janë rrethprerë, bashkë me ata që i ka shpuar shpata?".

22. Atje është Asiria me gjithë turmën e saj, me varret e saj përreth; janë të gjithë të vrarë, të rënë nga shpata.

23. Varret e tyre janë vendosur në thellësinë e gropës dhe turma e saj është rreth varrit të tij; të gjithë janë të vrarë nga shpata, ata që përhapin tmerrin mbi dheun e të gjallëve.

24. Atje është Elami me gjithë turmën e tij rreth varrit të tij; janë të gjithë të vrarë, të rrëzuar nga shpata, që kanë zbritur pa u rrethprerë në thellësi të tokës, ata që përhapnin tmerr mbi dheun e të gjallëve; tani ata mbajnë turpin e tyre me ata që zbresin në gropë.

25. Kanë vënë shtratin e tij në mes të të vrarëve me gjithë turmën e tij, me varret e tyre rreth tij; të gjithë nuk janë rrethprerë, janë shpuar nga shpata, sepse kishin përhapur tmerrin mbi dheun e të gjallëve; por tani e mbajnë turpin e tyre me ata që zbresin në gropë; janë vendosur në mes të të vrarëve.

26. Atje është Mesheku, Tubali, dhe tërë turma e tyre, me varret e tyre rreth tij; të gjithë nuk janë rrethprerë, janë shpuar nga shpata, sepse përhapin tmerrin mbi dheun e të gjallëve.

27. Nuk rrinë me heronjtë e rënë të atyre që nuk janë rrethprerë, që kanë zbritur në Sheol me armët e tyre të luftës dhe që shpatat e tyre janë vënë nën kokat e tyre; por ndëshkimi i paudhësive të tyre do t'u ngjitet kockave të tyre, megjithëse tmerri i këtyre trimave ishte i madh mbi dheun e të gjallëve.

28. Po, ti do të copëtohesh në mes të atyre që nuk janë rrethprerë dhe do të qëndrosh bashkë me ata që janë shpuar nga shpata.

29. Atje është Edomi, me të gjithë mbretërit e tij dhe me të tërë princat e tij, të cilët, me gjithë trimërinë e tyre, janë vendosur bashkë me ata që janë shpuar nga shpata. Edhe këta rrinë bashkë me ata që nuk janë rrethprerë dhe me ata që zbresin në gropë.

30. Atje janë tërë princat e veriut dhe tërë sidonasit që kanë zbritur bashkë me ata që janë shpuar të hutuar për shkak të tmerrit që u kallnin me fuqitë e tyre. Qëndrojnë të parrethprerë bashkë me ata që janë shpuar nga shpata dhe mbajnë turpin e tyre bashkë me ata që zbresin në gropë.

31. Faraoni do t'i shohë dhe do të ngushëllohet për të gjithë turmën e tij; Faraoni dhe tërë ushtria e tij do të shpohen nga shpata", thotë Zoti, Zoti.

32. "Ndonëse e lashë të përhapë tmerrin e tij mbi dheun e të gjallëve, Faraoni me gjithë turmën e tij, do të vihet të qëndrojë në mes të atyre që nuk janë rrethprerë, me ata që janë shpuar nga shpata", thotë Zoti, Zoti.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 32