Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ezekieli 30:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:

2. "Bir njeriu, profetizo dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Vajtoni: "Medet, dita!".

3. Sepse dita është afër, është e afërt dita e Zotit; do të jetë një ditë me re, koha e kombeve.

4. Shpata do të bjerë mbi Egjipt dhe do të krijojë ankth në Etiopi kur në Egjipt të bien të plagosurit për vdekje, do të shpien larg pasuritë e tij dhe themelet e tij do të përmbysen.

5. Etiopia, Puti, Ludi, tërë përzierja e popujve të ndryshëm, Kubi dhe bijtë e vendeve aleate do të rrëzohen bashkë me ta nga shpata".

6. Kështu thotë Zoti: "Ata që përkrahin Egjiptin do të rrëzohen, krenaria e pushtetit të tij do të bjerë; nga Migdoli deri në Syene do të bien aty nga shpata", thotë Zoti, Zoti.

7. "Do të shkretohen në mes të tokave të shkretuara dhe qytetet e tyre do të jenë në mes të qyteteve të shkatërruara.

8. Do të pranojnë që unë jam Zoti, kur do t'i vë zjarrin Egjiptit dhe të gjithë përkrahësit e tij do të shtypen.

9. Atë ditë do të nisen në praninë time lajmëtarë mbi anije, që do të trembin Etiopinë e shkujdesur; dhe një ankth i madh do t'i pushtojë ata si në ditën e Egjiptit. Po, ja gjëja është duke ndodhur".

10. Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do t'i jap fund zhurmës së Egjiptit, me anë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë.

11. Ai dhe populli i tij bashkë me të, më të tmerrshmit midis kombeve, do të vijnë për të shkatërruar vendin; do të zhveshin shpatat e tyre kundër Egjiptit dhe do të mbushin vendin me të vrarë.

12. Do t'i thaj lumenjtë dhe do t'ia shes vendin njerëzve të këqij; dhe nëpërmjet të të huajve do ta bëj të shkretuar vendin dhe gjithçka ai përmban. Unë, Zoti, fola".

13. Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do të shkatërroj idhujt dhe do t'i zhduk perënditë e rreme nga Nofi; nuk do të ketë më princ nga vendi i Egjiptit dhe do të kall frikën në vendin e Egjiptit.

Lexoni kapitullin e plotë Ezekieli 30